Napoli kërkon të blindojë Conten deri në vitin 2029
Te Napoli klima është kthyer e qetë dhe gjithçka tregon se raporti mes Aurelio De Laurentiis dhe Antonio Contes është i destinuar të zgjasë më shumë se sa ishte parashikuar fillimisht. Presidenti i klubit kampan dëshiron t’i ofrojë trajnerit një rinovim kontrate edhe për dy vite të tjera, duke e shtyrë marrëveshjen aktuale nga viti 2027 deri në vitin 2029. Lajmi raportohet nga Il Mattino dhe La Repubblica, ndërsa mbetet për t’u kuptuar qëndrimi përfundimtar i vetë Contes.
Nga humbja në kampionat në Bolonjë te triumfi në finalen e Superkupës së Italisë po në Bolonjë, duket sikur ka kaluar një epokë. Mes polemikave, zërave për ndarje dhe tensioneve të brendshme, Conte ka arritur të ribëjë ekuilibrat dhe të fitojë besimin e plotë të klubit. De Laurentiis e ka mbrojtur gjithnjë trajnerin dhe pas finales në Riad e ka cilësuar punën e tij si vendimtare për suksesin e Napolit.
E ardhmja e Contes, megjithatë, mbetet temë diskutimi. Historia e tij tregon se rrallë ka qëndruar më shumë se dy vite në një klub, me përjashtim të Juventusit (2011–2014). Pavarësisht spekulimeve për një rikthim të mundshëm në stolin e Kombëtares italiane, aktualisht në Napoli vlerësohet puna e tij e jashtëzakonshme në një sezon të mbushur me dëmtime, mungesa të rëndësishme dhe ndryshime taktike të vazhdueshme.
KOHA JONË SONDAZH

