Nations League/ Bilanci i përballjeve të Shqipërisë me kundërshtarët që i ranë në short

Shorti i hedhur në Bruksel ka përcaktuar grupin e Shqipërisë për edicionin 2026/27 të UEFA Nations League. Pas rënies në Ligën C, kuqezinjtë do të përballen me Finlanda, Bjellorusia dhe San Marino.

Në letër, grupi konsiderohet i menaxhueshëm, por për të siguruar vendin e parë,  që garanton ngjitjen direkte në Ligën B dhe një shans shtesë për “Play-Off”-in e Euro 2028, kërkohet konsistencë maksimale.

Finlanda paraqitet si rivali më i fortë. Statistikat historike janë në favor të nordikëve, me Shqipërinë që ka vetëm dy fitore në shtatë përballje. Diferenca e golave (6-8) dhe precedentët në kualifikueset e Botërorit 2002, ku kuqezinjtë mbetën pa pikë, e bëjnë këtë duel kyç për kreun e grupit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndaj Bjellorusisë bilanci është i baraspeshuar: shtatë ndeshje, tre fitore për Shqipërinë, dy për kundërshtarët dhe dy barazime (10-10 golat). Kujtimet më të fundit janë pozitive, pasi pikërisht ndaj tyre në vitin 2020 Shqipëria siguroi ngjitjen në Ligën B me dy fitore vendimtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga vazoja e katërt vjen San Marino, teorikisht kundërshtari më i lehtë. Në katër përballje, Shqipëria ka katër fitore, 13 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Çdo rezultat tjetër përveç gjashtë pikëve do të ishte një devijim serioz nga objektivi.

Objektivi është i qartë, vendi i parë në grup. Përveç rikthimit në Ligën B, ky pozicion rrit ndjeshëm shanset për një rrugë alternative drejt Kampionatit Evropian 2028. Shqipëria hyn në këtë edicion me presionin e rezultatit, por edhe me një kalendar që, nëse menaxhohet si duhet, mund të shndërrohet në trampolinë për rikthim të menjëhershëm.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?