Navas: Te Reali nuk besonin shumë te unë, ndryshe nga PSG-ja
Keylor Navas po kalon një moment shumë pozitiv te PSG. Gardiani nga Costa Rika ka arritur nivelin e tij më të mirë me Mauricio Pochettino dhe skuadra pariziene më në fund ka një garanci në portë për t’u përballur me pjesën vendimtare të sezonit. Në një intervistë të dhënë së fundmi ai ka folur edhe për të kaluarën e tij te Reali.
“Kur arrita në Madrid nuk u përpoqa të tregoj se isha portier më i mirë se Iker dhe se karriera ime do të ishte më e suksesshme se e tija. Thjesht u përpoqa të shfrytëzoj rastin, që ata më dhanë, të punoj shumë, me përulësi dhe të bëj më të mirën. Real Madrid dhe PSG janë dy skuadra të shkëlqyera, që përpiqen të bëjnë historinë.
Ndiej dashurinë e të gjithëve në Paris. Në Spanjë kisha ndjesinë se një pjesë e klubit nuk më besonin plotësisht. Unë gjithmonë do të jem përjetësisht mirënjohës për tifozët e Real Madrid, për mbështetjen e tyre të pakushtëzuar që më treguan dhe që ata ende më tregojnë pavarësisht se kam ndryshuar skuadër”, deklaroi Navas.