Ndahet nga jeta Dieter Herzog, kampioni i botës i vitit 1974 me Gjermaninë
Bayer Leverkusen ka njoftuar me dhimbje ndarjen nga jeta të Dieter Herzog, ish-kampionit të botës me Gjermaninë në vitin 1974. Herzog u shua në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një karrierë të spikatur si futbollist dhe më pas si vëzhgues i klubit gjerman.
“Bayer mban zi për humbjen e Dieter Herzog. Kampioni i Botës i vitit 1974, i cili luajti për Leverkusen për shtatë vjet, vdiq këtë javë në moshën 79 vjeç,” shkruhet në deklaratën zyrtare të klubit.
Herzog veshi fanellën e Gjermanisë pesë herë dhe mori pjesë në dy ndeshje të Kupës së Botës 1974, turne të cilin e fitoi së bashku me “Pancerat”. Ai luajti edhe në sfidat kundër Jugosllavisë dhe Suedisë gjatë karrierës së tij ndërkombëtare.
Në futbollin gjerman, Herzog regjistroi mbi 250 paraqitje në Bundesligë, duke shënuar 46 gola me Bayer Leverkusen dhe Fortuna Düsseldorf. Pas tërheqjes nga futbolli aktiv, ai vazhdoi kontributin e tij si vëzhgues për Leverkusenin.
KOHA JONË SONDAZH

