Ndahet nga jeta legjenda e boksit kosovar, Nazif Gashi
Sporti kosovar ka humbur një nga figurat më të mëdha të historisë së tij. Legjenda e boksit, Nazif Gashi, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në arenën sportive shqiptare dhe ish-jugosllave.
Ish-pjesëtar i gjeneratës së artë të Prishtinës, Gashi ishte një prej sportistëve që shënuan epokë gjatë viteve 1970–1980, kur skuadra prishtinase dominonte skenën e boksit në mbarë ish-Jugosllavinë. Me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i guximit dhe krenarisë për Kosovën dhe Shqipërinë.
Gjatë karrierës së tij, Gashi arriti fitore të rëndësishme ndaj emrave të shquar të boksit botëror, si kampioni olimpik dhe ish-kampioni i botës në kategorinë gjysmë të rëndë, Sllobodan Kacar, kampioni botëror Marian Benesh, si dhe ish-nënkampioni europian Svetomir Bilic.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur komunitetin sportiv. Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një mesazh ngushëllimi theksoi se Gashi mbetet figurë frymëzuese për gjenerata të tëra, duke e cilësuar si shembull të përkushtimit dhe disiplinës, një sportist që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit kosovar.
Ceremonia e varrimit të tij zhvillohet sot në Arbëri (ish-Dragodan) në Prishtinë, në orën 14:00. Ndërsa nesër, në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, Komiteti Olimpik i Kosovës do të mbajë mbledhje komemorative me fillim nga ora 10:00.
KOHA JONË SONDAZH

