Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës, Duka: Zë unik, mjeshtër i fjalës!
Komuniteti sportiv shqiptar ka humbur një nga figurat më të shquara të tij. Ismet Bellova, zëri legjendar i gazetarisë sportive dhe komentatori i mirënjohur i Radio Tiranës, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të vyer profesionale dhe njerëzore.
Lajmi i ndarjes së tij ka ngjallur reagime të shumta, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka kushtuar një mesazh të ndjerë në rrjetet sociale. Kreu i FSHF-së e cilësoi Bellovën si një zë unik të futbollit shqiptar, mjeshtër të fjalës dhe profesionist të rrallë, që ka komentuar në momente të vështira dhe historike të sportit në vend.
“Me zërin e tij shoqëroi breza të tërë, ishte profesor dhe mik i mirë, i respektuar nga i madh e i vogël për gjurmën që la. Jetoi gjithmonë si një njeri shumë i dashur,” shkruan Duka, duke nënvizuar fisnikërinë dhe përkushtimin e Bellovës ndaj profesionit.
Ismet Bellova mbetet një simbol i gazetarisë sportive shqiptare, një emër që lidhet ngushtë me emocionet e futbollit dhe me kujtimet e brezave që u rritën duke dëgjuar komentet e tij.
“Prehu në paqe Ismet Bellova. Zëri yt i paharruar dhe fisnikëria jote do të jetojnë gjatë në zemrat e atyre që u rritën duke të dëgjuar,” përfundon mesazhi i presidentit të FSHF-së.
KOHA JONË SONDAZH

