Ndeshjet e kupës, flasin trajnerët, Armando Cungu: I qetë, nëse shkarkohem!
Ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë folën për Partizanin dhe Kukësin, që fituan me të njëjtin rezultat, 2-0, përkatësisht ndaj Laçit e Vllaznisë, duke hedhur nga një hap të sigurtë drejt gjysmëfinales. Tirana u ndal në barazim 2-2 me Apoloninë, duke e lënë të hapur kualifikimin për 90 minutat e fundit, që do të zhvillohen në Fier. Flamurtari dhe Skënderbeut u ndanë në barazim 1-1. Pas ndeshjeve, flasin trajnerët respektivë të ekipeve çerek-finaliste:
Trajneri i Flamurtarit, Ernestino Ramella:
“U ndeshëm me një skuadër të fortë. Në nivelin fizik kemi nevojë të përmirësohemi sepse kemi 7-8 lojtarë të rinj. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë por rezultati është i drejtë por asnjëherë nuk i dihet sepse sfida mbetet e hapur. Në Korçë mund të barazojmë po 1-1 dhe të fitojmë në kohën shtesë.” Ai foli edhe për merkato dhe spekulimet. “Ujkani është mirë në Palermo me mikun tim Iacchini. Lika nuk luajti, sepse kemi edhe portierin e dytë në lartësinë e duhur, por ai mbetet zgjedhja e parë për kampionatin".
Trajneri i Skënderbeut,Mirel Josa:
“Zhvilluam një ndeshje pozitive. Pjesën e parë qëndruam shumë mirë në fushë duke pasur shumë raste. Terreni pengoi lojën cilësore por me tre mesfushorë i mbyllëm hapësirat kundërshtarit. Nuk arritëm të furnizonim Martins në sulm. Në rastin e golit të pësuar tre lojtarë gabuan. Loja erdhi në ngritje por mënyra se si u shprehëm më lë të kënaqur. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për ndeshjen e kthimit pasi Flamurtari ka ambicie dhe shikon vetëm Kupën si rrugën e vetme për të shpëtuar sezonin. Duhet të shënojmë dhe të mos pësojmë.”
Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri:
“Jam shumë i kënaqur për lojën e lojtarëve në këtë terren të rëndë dhe objektivi mendoj se u realizua, pasi jemi me një këmbë në gjysmëfinale. Luajtëm mirë dhe e dominuan kundërshtarin dhe dy golat e shpejtë na ndihmuan për të marrë fitoren. Gjithsesi neve qëndrojmë me këmbë në tokë".
Trajneri i Tiranës, Gugash Magni:
“Ne nuk e kishim nënvlerësuar Apoloninë. Kemi kohë që jemi të sakatuar nga Komisioni i Disiplinës prandaj vendosëm të mos paguanim, për të pasur tifozët në këtë ndeshje. Tirana pretendon trofeun dhe ne kemi lojtarë që kërkojnë minuta. Jemi të fokusuar dhe në Kupë dhe në kampionat. Lashë 3-4 titullarë pushim ,sepse kemi një ndeshje të rëndësishme në Shkodër. Lojtarëve që u jap besimin duhet ta përligjin. Nuk pashë lojtarët që kam parë në stërvitje prandaj pjesën më të madhe të fajit e marr unë por do të shkojmë në Fier për të fituar. Kam shumë besim te Morina por duhet të japë më shumë për të qenë lojtar 90 minutësh. Ndaj Apolonisë vrapoi shumë. Një lojtar që luan te Tirana duhet të marrë më shumë përgjegjësi.”
Trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi:
“U munduam ta surprizonim Tiranën dhe ia arritëm qëllimit. Tirana na mori pak si lehtë. Jam i kënaqur me lojën, por jo me rezultatin, sepse avantazhi na u kthye si bumerang. Lojtarët nuk besuan te fitorja. Për ne është e rëndësishme që po përballemi denjësisht. Na mungojnë rezultatet dhe për këtë duhet të punojmë shumë që ta realizojmë. Nëse pas dy javësh do të mendojmë vetëm për t’u mbrojtur, mendoj se do ta humbasim kualifikimin. Do te luftojmë në çdo cep te fushës dhe të ushtrojmë presion ndaj kundërshtarit.”
Trajneri i Partizanit Shpëtim Duro:
“Objektivi jonë ishte të fitonim takimin por historia nuk është mbyllur, sepse Laçi mund të tentojë ta rihapë ndeshjen në takimin tjetër. Objektivi është kampionati. Kupa nuk më intereson shumë. Nëse eliminohemi nga Kupa nuk ka asnjë problem, sepse kjo është strategjia jonë.”
Trajneri i Laçit, Armando Cungu:
“Pashë në fushë një ekip pa grintë dhe pa dëshirë. U aktivizuan disa lojtarë që erdhën në merkaton e janarit dhe ata mendoj se duan kohë të përshtaten. Ka ndikuar edhe transferta e Korçës, në kampionat, sepse nuk kemi arritur të stërvitemi rregullisht. Besova te këta lojtarë por mbeta i zhgënjyer nga ata. Nëse do të vendosin të më shkarkojnë e pres me qetësinë më të madhe këtë vendim. Kam tentuar të bëj punën time që në ditën e parë por disa gjëra nuk janë në dorën time sepse sportistet duhet të bëjnë punën e tyre prandaj nuk ka arsye pse ekipi të çalojë për pjesën e mbetur të ndeshjeve.”
Çerekfinalet e para të Kupës së Shqipërisë
Sot
Partizani-Laçi 2-0
Shënues: Fazlliu 9’, Bylykbashi 17’
Tirana-Apolonia 2-2
Shënues: Morina 49’ Karabeci 62’/ Ribaj 29’ Uzuni 43’
Vllaznia-Kukësi 0-2
Shënues: Pejiç 2’, Lushtaku 9’
Flamurtari-Skënderbeu 1-1
Nikoliç 61’/ Shkëmbi 78’ (11-m)
KOHA JONË SONDAZH

