Ndihmësi i Rejës: Kombëtarja kuqezi ka pasur përmirësim, Broja duhet të “piqet”
Ndihmësi i Edoardo Rejës, Sergio Porrini ka dhënë një intervistë të gjatë për sajtin italian “tuttomercatoweb” ka analizuar ecurinë e javës së fundit të Serie A, por edhe rrugëtimin e Kombëtares kuqezi në eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Ai dha një mendim edhe për talentin Armando Broja, i cili sipas tij duhet të “piqet”, pasi është shumë i ri.
A ndiheni ndopak të zhgënjyer për ecurinë e Shqipërisë në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022?
Në momentin e hedhjes së shortit menduam që ishte një nga grupet më të vështira të mundshme. Ta luanim ashtu siç bëmë ne, duke i humbur shanset tona, vetëm 10 minuta para fundit të ndeshjes ndaj Polonisë në shtëpi, të lë pak të zhgënjyer. Ndoshta po shkonim edhe përtej pritshmërive, për t’i dhuruar një kënaqësi të madhe një kombi të tërë që ëndërronte pjesëmarrjen në play-off, por edhe për vetë ne si staf dhe futbollistët. Gjithsesi ndihemi krenarë për përmirësimin që ka patur skuadra duke shpresuar deri në fund.
Armando Broja, lojtari për të cilin ka më shumë pritshmëri?
Është në pronësi të Chelsea-t ndërsa tashmë luan si i huazuar te Southampton, emri i tij është në gojën e të gjithëve. Ka shënuar gola fantastikë. Te karakteristikat e tij, hyn shpejtësia në duelet një kundër një dhe fakti që e njeh e mirë portën. Duhet të fillojë të piqet dhe të bëjë një jetë prej profesionisti sepse nuk arritur ende asgjë. Ka nevojë për kohë, ne po punojmë për të dhe me të në mënyrë që të bëhet një lojtar i rëndësishëm dhe të mos humbasë me kohën.
KOHA JONË SONDAZH

