Ndryshon sërish lista e Kombëtares, Sylvinho fton Feta Fetain
Lista e Kombëtares A pëson sërish ndryshime. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se trajneri Silvinjo ka vendosur të afrojë në skuadër mesfushorin e Shpresave, Feta Fetai.
Lojtari do të bashkohet me ekipin në stërvitjen e pasdites dhe do të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet e Kombëtares ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë.
Për 8 vite me radhë Fetai ka qëndruar te ekipi i Shkupit, për të kaluar më pas te Rabotnicki aty ku sezonin e kaluar bëri edhe hapin e madh në karrierë me transferimin në Kroaci te Lokomotiva Zagreb. Mesfushori kuqezi ka luajtur edhe me të rinjtë e Maqedonisë së Veriut por ftesën e Shqipërisë e ka pritur gjithmonë.
Ndryshime ka edhe në listën e ekipit Kombëtar U-21. Trajneri Alban Bushi ka vendosur të thërrasë në grumbullim mesfushorin e Tiranës, Hajrulla Tola si edhe portierin e Vorës, Arbër Jata. Portierët Simon Simoni dhe Endri Dema kanë ngarkesë në muskuj dhe për pasojë i duhen dy ditë të plota rikuperimi.
Shqipëria U-21 do të luajë më 15 tetor kundër Armenisë në stadiumin “Air Albania” në ora 18:00.