Në finale me Laçin, Gjici kërkesë FSHF-së për gjyqtarë gjerman
Kukësi për të tretin vit radhazi siguroi pjesëmarrjen në Europa League, por me arritjen për herë të parë në finale të kupës, kjo skuadër ka një tjetër objektiv për të arritur. Suksesi ndal Laçit do të siguronte edhe trofeun e parë në historinë e klubit të Kukësit, që është Kupa e Shqipërisë. Këtë trofe presitigji presidenti Safet Gjici e kërkon me çdo kusht, ndaj dhe skuadra e drejtuar nga serbi Miodrag Radanoviç po punon me intensitet për të qenë në formë maksimale në përballjen finale me Laçin në fund të këtij muaji. Shqetësimi i vetëm i Gjicit për këtë finale mbetet gjykimi. Numri një i nën-kampionëve të Shqipërisë i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit që ndeshja finale Kukësi – Laçi të gjykohet nga një treshe e huaj. Në këtë kërkesë specifikohet që mundësisht të jetë një gjyqtar gjerman. Në bazë të rregullores së FSHF-së, shpenzimet për të sjellë në Shqipëri arbitra të huaj duhet të mbulohen nga klubi që bën kërkesën, në rastin konkret nga Kukësi. Që nga viti 2003 janë katër finale të Kupës së Shqipërisë që janë gjykuar nga arbitra të huaj, ku në dy raste kanë qenë gjyqtarë italianë, pikërisht Paparesta dhe Farina, në një finale gjermani Rafati dhe së fundmi në vitin 2010, slloveni Ceferin.
KOHA JONË SONDAZH

