Në Itali “qajnë” Kumbullën: Dy minutat që e ndanë nga Italia!
Nëse një nga gjërat më pozitive që ka bërë Edy Reja në krye të Kombëtares së Shqipërisë është padyshim edhe dhënia e mundësisë për të debutuar Marash Kumbullës. Mbrojtësi që po shkëlqen në Seria A, ka edhe pasaportë italiane, por ai zgjodhi që t’i bashkohej kombëtares kuqezi. Mediat fqinje ndërkohë shprehen të bindura se nëse nuk do të ishte aktivizuar ato dy minuta, mund t’i bashkohej ekipit të Mancinit tashmë.
Mbrojtësi shkodran është bërë një pikë referimi te Hellas Verona, duke ngërthyer vëmendjen dhe interesin e gjigantëve të Europës. Në këtë pikë të karrierës, italianët me portalin “Goal.com” shprehin keqardhjen e tyre që Kumbulla nuk luan për kombëtaren e tyre.
“Ndër surprizat kryesore të këtij kampionati është padyshim Verona e Juric, e aftë të bllokojë Milanin, Lazion dhe Juventusin. Në mesin e protagonistëve të skuadrës është edhe Marash Kumbulla, një qendërmbrojtës i ri, që i shpëtoi kombëtares italiane për një fije… Talenti i datëlindjes 2000 ka lindur në Itali, në Peschiera del Garda, dhe ka pasaportë të dyfishtë, por tashmë e ka bërë debutimin e tij me fanellën e kombëtares shqiptare, tetorin e kaluar, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Europian 2020, kundër Moldavisë, duke hyrë në fushë minutën e 89-të, kur rezultati ishte 0-4.
Prandaj, vetëm dy minuta e ndajnë Kumbullën nga mundësia e thirrjes me axurrët. Një keqardhje e vërtetë për trajnerin Mancini, i cili sheh një talent dhe mundësi që zbehet, tashmë i përfunduar në radarët e Interit dhe Napolit, në funksion të merkatos së verës. Një rritje e vazhdueshme për mbrojtësin e ri të Veronës, i cili tashmë i ka bindur të gjithë në Serie A”, shkruan portali i njohur.