Në krye të shtangës një grua? Dorëhiqet Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes

Jep dorëheqjen Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Theodhor Masllavica.

Dorëheqja e tij  e papritur vjen në prag të asamblesë zgjedhore, që do të zhvillohet më 14 nëntor në kryeqytet.

 “Të Nderuar Miq, Sportistë dhe bashkëpunëtorë. Në cilësinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, dua tju njoftoj se për arsye personale jap dorëheqjen nga pozicioni i Presidentit dhe kandidatura ime për pozicionin e Presidentit në zgjedhjet e dt. 14.11.2020. Këtë dorëheqje e jap në mënyrë të parevokueshme. Dëshiroj të falenderoj të gjithë mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e mi për të cilët kam një vlerësim maksimal dhe besoj se do tia dalin në çdo arritje sportive. Me Respekt, Theodhor Masllavica”, shkruhet në deklaratën e presidentit.

Theodhor Masllavica u zgjodh në krye të shtangës më 5 prill të vitit 2018, pas dorëheqjes së Elez Gjozës, në një periudhë kur peshëngritja shqiptare ishte përfshirë në skandalet e dopingut, teksa 12 sportistë kishin rezultuar pozitiv.

Gjatë gjithë kohës kur ai ishte në krye të shtangës, asnjë sportist shqiptar nuk rezultoi pozitiv me doping.

Me dorëheqjen e tij si President dhe kandidat për drejtuesin e ri të shtangës shqiptare tashmë në zgjedhjet e 14 nëntorit në garë për president mbetet vetëm trajnerja e elbasanase Eglantina Çuni.

SHKARKO APP