Në rrezik përballja Ronaldo-Mesi, UEFA me protokoll ndryshe për Champions-in
Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi duhet të përballeshin sërish me njëri-tjetrin të mërkurën e ardhshme (28 tetor), por ky duel pas 3 sezonesh nga largimi i portugezit nga La Liga mund të shtyhet për një tjetër datë, duke parë pozitivitetin e futbollistit të Juventusit. Ditën e djeshme, klubi bardhezi dhe futbollisti janë vënë në lëvizje për të kryer tamponin, me shpresën se do të marrin një përgjigje negative dhe kësisoj jo vetëm Ronaldo do të rikthehej në grumbullim, por do të ishte i gatshëm edhe për takimin Juventus-Barcelona, në program mesjavën e ardhshme në “Allianz Stadium”.
Pritja dje ka qenë e madhe, duke qenë se rregullorja UEFA, për kompeticionet europiane, është ndryshe nga ajo e Serisë A për shembull, kur lojtari mjafton që të ketë rezultuar negativ 24 orë përpara ndeshjes dhe të nesërmen të zbresë normalisht në fushë. Protokolli i UEFA-s për Champions-in dhe Ligën e
Europës nënvizon se, “çdo futbollist i prekur nga ‘COV- ID’ duhet të jetë negativ saktësisht një javët përpara zhvillimit të takimit”. E thënë ndryshe, duke qenë se Juve-Barça luhet më datë 28 tetor, Ronaldo duhet të rezultonte që dje negativ, ndryshe e ka të humbur përballjen e së mërkurës.
Por deri dje nuk ka ardhur një përgjigje zyrtare nga UEFA lidhur me tamponin e Ronaldos, ndonëse diçka më konkrete dhe zyrtare do të mësohet ditën e sotme.
JUVJA PA CR7-ËN – Që kur ka mbërritur te Juventusi, Kristiano Ronaldo ka koleksionuar 91 ndeshje, në të cilat ka realizuar 68 gola (21 nga pika e bardhë e penalltisë), por duke ofruar edhe 18 asiste, të gjitha këto për një total prej 7907 minutash, në të gjitha kompeticionet. Nëse hyjmë më në specifika, Ronaldo te kampionët e Italisë ka një mesatare prej 1 goli çdo 116 minuta lojë, ose e thënë ndryshe që kur portugezi ka firmosur me “Zonjën e Vjetër”, klubi ka realizuar një total prej 197, nga të cilat 34.5 për qind të tyre mbajnë firmën e luzitanit.
Kjo shifër tregon kontributin fantastik që Ronaldo ka te Juventusi, pasi nga vera e vitit 2018 e deri më sot ka luajtur në 84 për qind të ndeshjeve. Ose më ndryshe, Ronaldo ka munguar në 16 takime që kur ka zbarkuar në Torino, ndonëse fatmirësisht Juventusi ka ditur sesi ta mbushë mungesën e lënë bosh nga 35-vjeçari, duke qenë se në këtë interval kampionët e Italisë kanë humbur vetëm 4 herë, kanë barazuar 2 dhe kanë triumfuar në 10 raste të tjera.
Gjithsesi, edhe pse plagët nuk janë të rënda, nuk ka diskutim se me Ronaldon në fushë Juventusi është një tjetër gjë dhe jo vetëm trajneri Pirlo, por të gjitha tifozët presim me padurim që ta rishohin në fushë fenomenin e tyre./Panorama