Në Spanjë janë të sigurtë: Në janar, Eriksen transferohet te Reali
Merkato e dimrit është ende larg, por klubet e mëdhenj të Europës nuk presin hapjen zyrtare të tregut të transferimeve. Real Madrid është një prej tyre, teksa “los blancos” kanë nisur punën për atë që pritet të jetë një nga goditjet më të madha të janarit. Ishte folur edhe më parë, por pasi dështoi në verë madrilenët do të provojnë sërish të marrin shërbimet e Kristian Eriksen.
Të sigurta për këtë janë “Marca” dhe “AS” dy të përditëshmet iberike të mirë informuara për atë që ndodh te Real Madrid. Të dyja të përditëshmet kanë hapur numrat e tyre të së enjtes me foton e mesfushorit danez në faqen e parë. Titujt kryesorë janë thuajse identikë: Real kërkon Eriksen në janar. Më pas, në komentet e tyre, shpjegohet se si madrilenët do të arrijnë te 27-vjeçari, për të cilin Tottenham kërkon 200 milion euro. Kjo shifër nuk është aspak koherente me situatën. Kristian Eriksen kërkon të largohet nga skuadra angleze, pasi ka humbur rolin e titullarit të padiskutueshëm. Kjo konfirmohet edhe nga refuzimi i njëpasnjëshëm që i ka bërë ofertave për rinovim, pasi kontrata aktuale e tij skadon në verën e vitit të ardhshëm.