A e toleroi Reali Benficën në golin e katërt? Në Spanjë nisin dyshimet
Humbja në Lisbonë po rëndon si një goditje e fortë për Real Madridin. I mposhtur 4-2 nga Benfica në ndeshjen e fundit të fazës së kampionatit në Champions League, gjiganti spanjoll ka humbur mundësinë për kualifikim direkt në 1/8 e finales dhe tani është i detyruar të kalojë nëpër play-off.
Një përfundim i hidhur, që ka shkaktuar zemërim të madh në Spanjë jo aq për rezultatin, por për mënyrën se si erdhi goli i fundit i pësuar, i cili u kthye menjëherë në temë kritikash të ashpra. Reali e kishte fatin në duart e veta, por minutat e fundit morën një rrjedhë thuajse të pabesueshme. Në kohën shtesë, skuadra madrilene mbeti me nëntë lojtarë, pas kartonëve të kuq radhazi për Raúl Asencio dhe Rodrygo, të ndëshkuar për ndërhyrje dhe protesta të pakontrolluara.
Me forca të reduktuara, ekipi i drejtuar nga Arbeloa nuk arriti të menaxhojë goditjen e fundit standarde të ndeshjes. Pikërisht aty erdhi momenti historik: portieri Anatoliy Trubin shënoi me kokë, duke i dhënë Benficës së Mourinhos kualifikimin në mënyrë spektakolare dhe duke fundosur Realin.
Ajo që ka shkaktuar më shumë polemika është vendosja mbrojtëse e Realit në atë aksion. Sipas asaj që thekson Marca, tre lojtarë, Vinícius, Mbappé dhe Brahim Díaz, nuk morën pjesë aktivisht në fazën mbrojtëse, ndërsa dy të tjerë shënuan “në boshllëk”, duke lënë vetëm tre futbollistë realisht në zonë për të mbrojtur, përballë pothuajse të gjithë lojtarëve të Benficës që u hodhën në sulm.
Pamja u cilësua si simbol i konfuzionit, mungesës së përqendrimit dhe kohezionit, në një moment ku gjithçka ishte në lojë. “Është pasqyra e apatisë së një skuadre që po luante gjithçka dhe veproi sikur të mos kishte asgjë për të humbur”, shkruan e përditshmja madrilene.
KOHA JONË SONDAZH

