Nesër zgjedhjet, Shakohoxha: Bojkotoni Asamblenë e paligjshme. Po fshihet raporti i UEFA-s
Nesër më 15 mars, është njoftuar zhvillimi i Asamblesë Zgjedhore për presidentin e ri dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Procesi mbetet jo i ligjshëm, ndaj dhe Dritan Shakohoxha, rivali i Armand Dukës në garën për kreun e FSHF-së, i ka kërkuar njerëzve të futbollit ta bojkotojnë procesin e paligjshëm.
“Zgjidhjet artificiale dhe të sforcuara juridike që drejtuesit e FSHF-së kanë tentuar që ti japin parregullsive në proces, duke shfrytëzuar dhe përdorur si argument kryesor heshtjen e UEFA-s, thjesht kanë përkeqësuar paligjshmërinë e këtij procesi, fati i të cilit tashmë do të duhet të përcaktohet vetëm përmes një vendimi Gjyqësor.
Sa më sipër, në konfirmim të vendosmerisë time si kandidat për President të FSHF-së për të demaskuar dhe zhbërë këtë maskaradë zgjedhore, kërkoj nga ana juaj si FSHF dhe nga ana e disa prej personaliteteve të futbollit në Shqipëri dhe ekipeve të futbollit që ata përfaqësojnë, që më datë 15.03.2022 të shmangin dhe bojkotojnë zhvillimin nga FSHF të një procesi zgjedhor fals, të paligjshëm, jo statutor, jo demokratik, jo transparent dhe të manipuluar, duke marrë menjëherë masat për ripërsëritjen e procesit zgjedhor dhe respektimin korrekt të përcaktimeve përkatëse ligjore e statutore”.