Neymar heqë dorë nga 100 milionë euro për t’u transferuar te Barça

Neymar dëshiron Barcelonën me çdo kusht dhe për këtë ka refuzuar një ofertë stratosferike për rinovimin e kontratës me Paris Saint Germain. Drejtuesit e klubit kryeqytetas i kanë ofruar një pagë prej 100 milionë eurosh në sezon, për të rinovuar deri në verën e 2025-ës, por përgjigja e yllit brazilian ka qenë një jo e prerë.

Aktualisht Neymar përfiton një pagë prej rreth 50 milionë eurosh në vit, të ndarë mes PSG-së dhe bankës së Katarit, që e ka zgjedhur si njeri imazh të spoteve publicitare, ndërsa Al Khelaifi i ka ofruar dyfishin për rinovimin. Braziliani është nostalgjik për periudhën që ka kaluar te Barcelona dhe kërkon rikthimin që këtë verë në “Camp Nou”, ndonëse e ka të qartë që katalanët nuk do t’i ofrojnë më shumë se 20 milionë euro pagë vjetore.

Megjithatë për të marrë brazilianin, Barcelona do të duhet të derdhë një shifër prej rreth 180 milionë eurosh në arkat e Paris Saint Germain, shifër kjo shumë e lartë për spanjollët, sidomos tani pas krizës që ka shkaktuar pandemia globale Covid-19.

SHKARKO APP