Neymar i dërgon një mesazh Ancelottit: Jam i gatshëm për Kombëtaren!
Duket se periudha e vështirë te Al-Hilal tashmë i përket së kaluarës. Neymar është rikthyer të luajë dhe të shënojë me fanellën e Santos, ku mbrëmjen e djeshme ishte vendimtar në fitoren 3-1 ndaj Juventude. Sulmuesi brazilian, dikur yll i PSG dhe Barcelonës, tregoi se po rikthehet në formën më të mirë, gjë që u pasqyrua edhe në festimin e golit të tij.
Pas ndeshjes, ai foli për mediat duke thënë: “Jam i lumtur që luajta një ndeshje të mirë dhe që fituam sërish, kjo është gjëja më e rëndësishme. Të gjithë e njohin stilin tim.”
Në mesin e pyetjeve të shumta, njëra lidhej me rikthimin në Kombëtaren braziliane, pikërisht në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës që nisin në shtator. Neymar u përgjigj me qartësi: “Jam i gatshëm. Jam një atlet dhe ndjehem gjithmonë mirë. Tani i takon atyre të vendosin.”
Një mesazh i drejtpërdrejtë për Carlo Ancelottin, trajnerin e ri të Brazilit, i cili gjatë prezantimit të tij kishte deklaruar: “Neymar duhet të përgatitet mirë dhe ka kohë për ta bërë këtë. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne në rrugëtimin drejt Botërorit.”
KOHA JONË SONDAZH

