Nga 0-2 në 6-2, Bayerni fitore spektakolare ndaj Freiburgut në kampionat
Bayern Munich rikthehet te fitoret me një përmbysje spektakolare në “Allianz Arena”, duke mposhtur 6-2 Freiburgun në javën e 11-të të Bundesligës. Pas barazimit ndaj Union Berlin që i ndërpreu serinë prej 16 fitoresh radhazi, skuadra e Kompany reagoi me forcë, edhe pse u gjend shpejt në disavantazh të dyfishtë.
Freiburg surprizoi bavarezët në 17 minutat e para: fillimisht Suzuki shfrytëzoi një goditje këndi për të shënuar në të 12-ën, ndërsa Manzambi dyfishoi me kokë vetëm pesë minuta më vonë. Bayern u rikthye në lojë me talentin Lennart Karl, i cili ngriti peshë stadiumin në minutën e 22-të, para se Olise të barazonte në shtesën e pjesës së parë.
Pas pushimit, kampionët gjermanë u shfaqën të pamëshirshëm. Upamecano kaloi Bayernin në epërsi në minutën e 54-t, ndërsa Kane shtoi edhe një gol tjetër pesë minuta më vonë. Festivali ofensiv vazhdoi me Jackson, i cili realizoi të pestin pas një superasisti të Olise, ndërsa vetë francezi mbylli ndeshjen duke shënuar golin e gjashtë në minutën e 84-t. Me dy gola dhe tre asistime, Olise u shpall pa diskutim lojtari i ndeshjes.
Me këtë triumf, Bayern shkon në kuotën e 31 pikëve dhe shkëputet tetë pikë nga ndjekësi më i afërt, Leverkusen, që fitoi 1-3 në fushën e Wolfsburgut falë golave të Hofmann, Tapsoba dhe Tillman.
Ndërkohë, Dortmund humbi terren në gara, pasi barazoi 3-3 në “Signal Iduna Park” ndaj Stuttgartit. Verdhezinjtë kaluan në avantazh me penalltinë e Emre Can, por pjesa e dytë u kthye në një thriller të vërtetë. Undav shënoi dy gola për Stuttgartin, Adeyemi në të 89-ën dukej se sillte fitoren për Dortmundin, por Undav kompletoi tripletën e tij në kohën shtesë, duke vendosur barazimin dramatik.
KOHA JONË SONDAZH

