Nga Hoxha te Shkurtaj, ja formacioni më i shtrenjtë i Kategorisë Superiore

Skuadrat e Kategorisë Superiore janë duke zhvilluar përgatitjet për fillimin e pjesës së dytë të sezonit, teksa deri më tani diferencat në kampionat kanë qenë shumë të vogla. Kukësi arriti që ta mbyllte në vendin e parë me 31 pikë, vetëm një më shumë se Bylis që është surpriza e këtij edicioni. Por cili është formacioni më i mirë i Superiores?

Për të marrë këtë përgjigje na vjen në ndihmë sajti më i madh i transferimeve, “Transfermarkt” që ka përditësuar vlerat e lojtarëve në vitin e ri 2020. Dominues në 11-shen më të shtrenjtë në kampionatit është skuadra kampione e Partizanit, e ndjekur nga Kukësi, ndërkohë që Teuta dhe Laçi përfaqësohen në këtë formacion special.

Porta– i gjithmonë në këtë repart nuk ka asnjë risi, pasi portieri më i shtrenjtë është si gjithmonë “gardiani” i Partizanit, Alban Hoxha, i cili vlerësohet me 300 mijë euro.

Mbrojtja- Trashi është futbollisti më i shtrenjtë në këtë repart, teksa kartoni i të cilit shkon në 550 mijë euro. Në krahun e djathtë ndërkohë Maliqi ka një rritje të konsiderueshme duke arritur vlerën 325 mijë euro. Në qendër më të shtrenjtit janë Belica dhe Gjoni nga Laçi menjë vlerë pak a shumë të ngjashme, teksa kanë arritur që të bëjnë paraqitje shumë të mira deri më tani.

Mesfusha- Përpara mbrojtjes qëndron Mala i Partizanit, i cili edhe pse nuk e ka nisur mirë sezonin, sërish është një nga futbollistët më të vlerësuar. Në krah të tij qëndron Kallaku që vlerësohet 550 mijë euro edhe pse është vetëm 21 vjeç. Lushkja zë vend në këtë 11-she me vlerën 300 mijë euro.

Sulmi- Reparti i “peshave” të rënda, pasi futbollistët vlerësohen në vlera më të larta. Në majën e këtij reparti qëndron Vasil Shkurtaj, i cili është njëkohësisht edhe lojtari më i shtrenjtë i Kategorisë Superiore (575 mijë euro). Golat e shënuar dhe loja e mirë deri më tani e kanë shndërruar në lojtarin kryesor të verilindorëve së bashku me Abzajn, i cili i afrohet me 550 mijë euro, edhe pse në fakt është në formë huazimi. Në këtë 11-she ka hapësirë edhe për Cordeiron (475 mijë euro), pasi ka qenë vendimtar në disa ndeshje. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP