Nga Konte te Zidane, kush ikën dhe kush qëndron në pankinat e “bigëve”
Në fund të këtij sezoni në Europë mund të ketë ndryshime në drejtimin e skuadrave të mëdha. Disa strategë të njohur po hasin shumë vështirësi në drejtimin e skuadrave respektive. Ndryshimi i ekipit mbetet një mundësi e mirë, ndërkohë që mediat ndërkombëtare kanë publikuar mundësit që kanë për të qëndruar për secilin prej tyre.
Zidane (Real Madrid)- Mundësia që ai të qëndrojë në krye të Realit është vetëm 30 për qind. Strategu francez ka një kontratë deri në vitin 2020 me “Los Blancos”, por francezi po kalon një moment delikat, teksa skuadra e tij ndodhet 17 pikë larg nga Barcelona e vendit të parë. Kjo është prova e parë me e vështirë për të, që nga momenti që ka marrë drejtimin e skuadrës në fillimin e vitit 2016.
Valverde (Barcelona)- Me 100 për qind do të mbetet në krye të skuadrës së blaugranëve. Strategu 53-vjeçar ka një kontratë deri në vitin 2019. Kampionatin e ka thuajse të fituar në këtë sezon, ndërkohë që dueli më delikat do të jetë ai ndaj Çelsit në Champions.
Simeone (Atletiko Madrid)- Mundësit që ta shohim në krye të “Los Kolçoneros” sezonin e ardhshëm janë 90 për qind. Ka refuzuar oferta të rëndësishme në ekipe të mëdha duke rinovur deri në vitin 2020. Për argjentinasin skualifikimi në Champions nuk mund të jetë një alibi për t’u larguar.
Konte (Çelsi)- Ky duket se do të jetë sezoni i fundit që do ta shohim trajnerin italian në krye të Blutë të Londrës. Ish-trajneri i Juventusit. Ai ka kontratë deri në vitin 2019, por prishja e marrëdhënieve me presidentin Abramoviç mund të sjell dhe largimin në fund të sezonit. Për Konten shihet si shumë e mundshme rikthimi në kampionatin italian.

Guardiola (Mançester Siti)- Strategu spanjoll do të qëndrojë te Siti me 100 për qind edhe për sezonin e ardhshëm. Puna e shkëlqyer e bërë këtë sezon, mund të sjellë konfirmimin e tij në krye të skuadrës. Guardiola është gati për të rinovuar kontratën deri në vitin 2022, pasi ajo aktualja skadon në vitin 2019.
Murinjo (Mançester Junajtid)- Strategu portugez e ka thuajse të sigurt qëndrimin për sezonin tjetër. Me 90 për qind mediat ndërkombëtare shkruajnë se ai do të mbetet sërish në krye të “Djajve të Kuq”, edhe pse është i lidhur shpesh herë për një kalim te PSG. Kontrata e Murinjos skadon në vitin 2019, por Junajtid është gati për t’ja rinovuar sërish.
Poketino (Totenhem)- Mundësia për ta parë sërish sezonin e ardhshëm te ekipi janë 50 për qind. Ai është i lidhur me “Spursat” deri në vitin 2021, por kërkohet nga disa skuadra të mëdha evropiane, teksa ka përfunduar në listën e Realit, por dhe të klubeve të tjera të njohura.
Venger (Arsenal)- Vetëm 10 për qind janë shanset e strategut francez për të qëndruar ende në krye të ekipit të topçinjve. Edhe pse verën e kaluar rinovoi deri në vitin 2019, nuk do të jetë shumë e vështirë për ta larguar duke marrë në konsideratë kontestimet e tifozëve.

Klop (Liverpul)- Strategu gjerman me 100 për qind edhe sezonin tjetër do ta shohim sërish në krye të Liverpulit. Puna e shkëlqyer e bërë këtë sezon, si dhe fitorja e fundit ndaj Siti janë një konfirmim për vlerat e tij. Kontrata e Klop skadon në vitin 2022.
Hejnkes (Bajern Mynih)- Nuk ka asnjë mundësi për ta parë sërish në krye të kampionëve të Gjermanisë sezonin e ardhshëm. Ai u thirr për të nxjerrë ekipin nga vështirësitë e këtij sezoni, dhe ka arritur që ta bëjë këtë gjë në mënyrën më të mirë.

Emeri (PSG)- Mundësia për të qëndruar në krye të kampionëve të Francës është vetëm 5 për qind. Kontrata e tij skadon në 30 qershor, teksa ekipi francez nuk ka ndërmend për t’i rinovuar kontratën. Shansi i vetëm për të do të ishte nëse do të fitojë Championsin. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

