Nga Mbappe te Haaland, zbulohet plani “galaktikë” i Realit për verën e ardhshme
Real Madrid po planifikon që të jetë shumë aktive në merkaton e vitit të ardhshëm, teksa duket se më në fund mund të realizohet edhe blerja e Kylian Mbappe nga PSG. Skuadra madrilene është ndër ekipet europiane më të prekura nga kriza ekonomike në vitet e fundit, duke bërë që këtë sezon të ketë pak lëvizje. Gjithsesi kampionët e Spanjës kanë ndërtuar një strategji ku po mendojnë për disa lëvizje të bujshme në verën e ardhshme.
“Los Blancos” do tentojnë afrimin e një super ylli si Kylian Mbappe, por edhe dy emra të rinj shumë të spikatur si Dayot Upamecano nga RB Leipzig dhe Eduardo Camavinga nga Rennes. Gazeta “AS” shton se madrilenët po ndjekin me kujdes situatën e dy futbollistëve të fundit. Upamecano sapo ka rinovuar edhe për një sezon tjetër kontratën, ndërkohë që Camavinga është në negociata për largimin nga Ligue 1.
Për Mbappe situata është disi më e komplikuar. Kontrata e super yllit francez do të përfundojë në qershorin e vitit 2022. Kjo do të thotë se vera e ardhshme është mundësia e fundit që PSG të përfitojë nga shitja e tij. Parisienët do të refuzojnë të humbasin Mbappe si transferim të lirë, ndaj dhe mund të pranojnë një ofertë joshëse për të, duke marrë në konsideratë faktin se kanë investuar 180 milionë euro kur e morën nga Monaco.
Në Madrid janë të bindur se me një ofertë të mirë, mund ta vendosin në dispozicion të Zidane. “As” shkon edhe më tej, duke hamendësuar se ekziston një plan i ngjashëm edhe për Erling Haaland, i cili do të futet në 12 muajt e fundit të akordit me Dortmundit, teksa më pas mund të largohet me lehtësi në saj të një klauzole jo shumë të lartë. Në Madrid për momentin po mendojnë për shitjet, teksa pas largimit të James Rodriguez te Evertoni, synimi i radhës është që të bindin Bale që të largohet në një ekip tjetër. Verën e ardhshme më pas të tentohet ndryshimi i disa futbollistëve, ku pritet të formohet një ekip “galaktikë”. /Rozalb Lika-Koha Jone/