Nga Mbappe te Isak, 5 sulmuesit që mund të shpërthejnë në Europian!

Nëse ekziston një sektor që nuk i frikësohet krizës, ai është i sulmuesve. Për ta zakonisht bëhen sakrifica (ose marrëzi), teksa duke filluar nga e premtja mund të priten edhe zhvillime të re. Europiani mund të jetë një vitrinë për shumë futbollistë që të kërkojnë të nisin aventura të reja. Por cilët janë sulmuesit që mund të na befasojnë gjatë kësaj vere, teksa jashtë tyre lëmë Cristiano Ronaldon, të ardhmen e të cilit do ta mësojmë në fundin e Kampionatit Evropian.

Kylian Mbappe – Sulmuesi francez është i destinuar që të krijojë gjithmonë zhurmë në media. Fiorentino Perez nuk është nga ata president që pëlqen që të dorëzohet lehtë, ndaj dhe pritet që këtë verë të kemi një telenovelë të vërtet për të ardhmen e bomberit. Për momentin asnjë skuadër nuk ka bërë ndonjë lëvizje për Mbappe, por një tjetër shpërthim gjatë Europianit mund të bënte që Real Madrid të rimendonte edhe njëherë një operacion të bujshëm gjatë kësaj vere.

Harry Kane – Sulmuesi anglez ka lënë të kuptohet se gjatë kësaj vere mund të ndodhë dhe transferimi në një skuadër të re. Kontrata e tij përfundon në vitin 2024, ndërkohë që kartoni i tij vlerësohet në shifrën e 100 milionë eurove. Sulmuesi 27-vjeçar duket se ka shtyrë vendimin për të ardhmen deri në mesin e korrikut. Në Francë nuk shënoi asnjë gol në 4 ndeshje, ndërkohë që në Europianin e kësaj vere do të mundohet që të lërë gjurmë për të ndihmuar Anglinë.

Memphis Depay – Një telenovelë që zgjat prej muajsh, por deri më tani nuk ka pasur asnjë fund. Në Spanjë janë të bindur për një transferim të mundshëm te Barcelona, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Ai ka shënuar 22 gola dhe ka dhënë 12 asistë për shokët e tij te Lyon-i. Holandës do i duhen golat e tij për të lënë gjurmë në Europian, teksa deri më tani ka realizuar 26 në 64 ndeshje.

Alexander Isak – Talenti që ra në gjurmët e Realit që në moshën 17 vjeç, u rrit shumë te skuadra e Dortmundit. Tashmë do të jetë një pikë referimi te Suedia. Me 17 gola të shënuar në La Liga në sezonin e fundit me Sociedad, ka të dhëna premtuese se mund të lërë shenjë në sfida të caktuara. Kartoni i tij vlerësohet në shifrën e 35 milionë eurove.

Andre Silva – Një sulmues që nuk mundi të lërë gjurmë në Seria A, por që në Bundesligë arriti të bënte hapin e duhur. 45 gola në dy sezonet e fundit me Frankfurtin janë një shifër e kënaqshme, që të bën të besosh se ai mund të jetë një shokë mjaft i mirë për Cristiano Ronaldon. Synimi është që në verë të nisë një aventurë të re, në një ekip me më shumë pretendime. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

SHKARKO APP