Nga Southgate te Blanc, United nis kërkimin për trajnerin e ri
Manchester United vazhdon ciklin e ndryshimeve në pankinë. Pas barazimit zhgënjyes 1-1 ndaj Leeds, klubi anglez ka zyrtarizuar shkarkimin e Ruben Amorim, duke i dhënë fund një periudhe të shoqëruar nga rezultate të paqëndrueshme dhe tensione të forta të brendshme. Deklaratat e trajnerit portugez, i cili kishte theksuar se kishte ardhur në Manchester për të “menaxhuar klubin dhe jo vetëm për ta stërvitur”, duke kritikuar hapur drejtuesit për merkaton, kanë përshpejtuar vendimin e klubit.
Në pritje të emërimit të një trajneri të ri, drejtimin e skuadrës e ka marrë Darren Fletcher si trajner i përkohshëm, duke nisur nga ndeshja e së mërkurës kundër Burnleyt. Ish-mesfushori skocez është një figurë simbolike për “Red Devils”: pjesë e akademisë që në moshën 11-vjeçare, ai ka zhvilluar afro 350 ndeshje me fanellën e United, duke fituar pesë tituj të Premier League dhe Champions League në vitin 2008.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Fletcher ka punuar me ekipet U-16 dhe U-18, si dhe ka mbajtur rolin e drejtorit teknik. Tani ai do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij edhe në pankinën e ekipit të parë, ndonëse mandati i tij shihet si i përkohshëm.
Ndërkohë, drejtuesit e Manchester United po shqyrtojnë disa kandidatura për stolin. Favoriti kryesor mbetet Gareth Southgate, i vlerësuar për punën e bërë me Kombëtaren e Anglisë, por ende i pa testuar në nivel klubesh. Në listë janë edhe Oliver Glasner, arkitekti i ringritjes së Crystal Palace, Enzo Maresca, së fundmi i shkarkuar nga Chelsea, Laurent Blanc, aktualisht pa skuadër pas eksperiencës në Arabinë Saudite, si dhe Kieran McKenna, trajneri që e çoi Ipswich-in drejt ngjitjes në Premier League.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e pankinës së Manchester United, me klubin që kërkon figurën e duhur për t’i dhënë stabilitet dhe identitet një projekti që vazhdon të jetë në kërkim të vetes.
KOHA JONË SONDAZH

