Nga Strakosha te Broja, Reja konfirmon mungesa të shumta të lojtarëve në Kombëtare
Trajneri Edy Reja në konferencën për shtyp në prag të tri ndeshjeve të qershorit ka konfirmuar se nuk mungojnë problemet për disa futbollistë të Kombëtares. Broja është infektuar me Covid-19, ndërkhë që Laçi dhe Bare janë të dëmtuar.
“Broja është me COVID-19 dhe është në shtëpi dhe presim të bëjë testet e tjera dhe pastaj ta shohim, uroj ta rikuperoj për ndeshjen e datës 19 me Izraelin, është e vështirë shumë për këtë, uroj ta kem për Izraelin, fola me Manajn dhe ka probleme me shpatullën. Të gjithë ata që kanë munguar kanë probleme, Laçi është dëmtuar, e njëjta gjë me Baren, nuk mund të marrin pjesë, ndaj ata që kam në dispozicion janë këta dhe këta duhet të na sjellin rezultatin final. Kam besim shumë te kjo skuadër se jemi rritur, tani duhet të bëjmë hapin, kemi mbërritur te pika ku nuk të tallesh më, nuk kemi alibi, këto dy ndeshje do të tregojnë vlerën e vërtetë aktuale të Shqipërisë.
Strakosha po përjeton një moment të veçantë se është në fund të kontratës. Ndaj derisa të mos gjejë një zgjidhje, më ka kërkuar të mos rrezikojë, pasi për fat të keq nuk ka asgjë të sigurte dhe për sa kohë ka negociata me kërkoi që të lihej në shtëpi për shkak të kësaj situate. E kam thënë që kam grup dhe kush zbret në fushë më jep garanci. Nga kjo pikëpamje më vjen keq për Strakoshën, uroj të gjejë diçka. Por nuk donte të rrezikonte se dikush ka negociata e me një dëmtim hidhet në ajër gjithçka. Kemi Berishën, kemi Kastratin e Selmanin, një djalë që po rritet në Turqi, ndaj po u jap besim këtyre lojtarëve tani.
Po shohim shumë lojtarë, se kam një listë me 40 emra, janë të rinj që po bien në sy në turne të ndryshëm dhe nuk harroj asnjë, Nëse është një si Asllani që është bërë titullar në një kohë të shkurtër, është ndër lojtarët më të diskutuar në Itali dhe ka bisedime me skuadra të mëdha, i datëlindjes 2002, është 20 vjeç. Por nëse është i aftë, është 18 si është edhe 30. Dua t’i shoh me lojtarët tanë se kur stërviten bashkë, e kupton se ku janë dhe mësohen me grupin ndërsa i shohim potencialin”, shtoi Reja.