Nga titullar përfundon në tribunë, Broja zhduket në sfidën e fundit në Angli
Transferimi i Armando Brojës te Burnley u konsiderua si një hap strategjik në momentin e duhur, me synimin për të rigjetur vazhdimësinë dhe formën pas një periudhe të vështirë. Fillimi nuk ishte i lehtë, pasi dëmtimet e shpeshta e penalizuan sërish, duke i kufizuar hapësirat në fushë.
Megjithatë, me kalimin e javëve, sulmuesi i Kombëtares shqiptare arriti të fitojë minuta dhe të ngjitet në hierarki, deri në rolin e titullarit. Goli i realizuar ndaj Bournemouth u interpretua si pikë kthese, duke rritur besimin brenda skuadrës dhe entuziazmin te tifozët.
Por dinamika ndryshoi shpejt. Forma e Brojës nisi të bjerë dhe bashkë me të edhe aktivizimi. Nga një zgjedhje e parë në repartin ofensiv, 23-vjeçari përfundoi fillimisht në stol dhe së fundmi edhe jashtë listës.
Në sfidën e fundit kundër Crystal Palace, Broja nuk ishte as në pankinë, një vendim teknik që konfirmon momentin delikat që po kalon te Burnley. Mungesa e tij pa një komunikim për dëmtim shton pikëpyetjet mbi statusin aktual në skuadër.
Ky zhvillim përbën një sinjal jo inkurajues edhe për trajnerin e Shqipërisë, Sylvinho, në prag të ndeshjeve play-off për Botërorin 2026, ku pritet që Broja shihet si një elementë shumë i rëndësishëm.
KOHA JONË SONDAZH

