Një mesfushë e re dhe ndryshime në mbrojtje, ja lëvizjet e Milanit

Milani po punon për të kompletuar skuadrën për sezonin e ardhshëm, në mënyrë që Stefano Pioli të ketë më shumë alternativa. Një nga emrat e piketuar për t’u afruar këtë vjeshtë është ai i mesfushorit Matteo Pessina, i cili është në pronësi të Atalantës, por që këtë sezon luajti si i huazuar te skuadra e Veronës. Pessina shikohet si një futbollist me të ardhme, të cilin Milani dëshiron ta përfshijë gradualisht në skuadër, megjithatë vendimi tani ka mbetur në dorë të Atalantës.

Sa i përket mesfushës, emri në krye të listës është Tiemoue Bakayoko, i cili ka pranuar të ulë edhe pagën në 3 milionë euro, vetëm për t’u rikthyer sërish te Milani, por negociatat me Chelsea-n për momentin kanë ngecur. Kjo pasi londinezët kërkojnë minimalisht 20 milionë euro për mesfushorin francez, ndërsa te Milani nuk kanë ndërmend të paguajnë më shumë se 15 dhe drejtuesit kuqezinj presin që merkatoja të afrohet në fundin e saj, me qëllim që te Chelsea të bëjnë skonto.

Sa u përket krahëve të mbrojtjes, ana e majtë duket e blinduar me francezin Theo Hernandez, i cili ka mbyllur një sezon si protagonist dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, ndërsa synimi është të afrohet një futbollist me peshë në krahun e djathtë. Emri kryesor në krye të listës është ai i futbollistit të Tottenhamit, Serge Aurier, i cili nuk shihet si titullar nga Jose Mourinho dhe drejtuesit e Milanit janë gati të paguajnë për ta transferuar në kampionatin italian.Për Aurier, Tottenham kërkon 23 milionë euro, por drejtuesit e Milanit janë të bindur që mund ta marrin për shumë më pak, nëse futet në lojë edhe dëshira e futbollistit nga Bregu i Fildishtë.

SHKARKO APP