Një rumun do të vendos drejtësi në duelin vendimtar ndaj Andorrës

Ndeshja Andorra-Shqipëri, e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Botërorit 2026, do të gjykohet nga rumuni Horatiu Mircea Fesnic. Takimi zhvillohet më 13 nëntor dhe federata ndërkombëtare ka vendosur t’ia besojë drejtimin një arbitri me përvojë të konsoliduar.
36-vjeçari Fesnic do të ketë pranë bashkëkombësit e tij Valentin Avram, Alexandru Cerei dhe Rares Vidican si asistentë, ndërsa në dhomën e VAR-it do të jenë Ovidiu Haţegan dhe Adrian Costreie.
Fesnic nisi rrugëtimin e tij në futboll si lojtar, por në moshën 19-vjeçare u tërhoq nga fusha për t’u përqendruar te arbitrimi. Debutimin si kryesor në kampionatin rumun e bëri më 12 mars 2012, vetëm 22 vjeç, ndërsa katër vite më vonë u përfshi në listën ndërkombëtare të FIFA-s. Që prej asaj kohe i janë besuar ndeshje me peshë, mes të cilave takimet Utrecht – Lyon dhe Stuttgart – Feyenoord në fazën e ligës së Europa League.
Ai njihet për tolerimin e lojës fizike dhe për një mesatare të ulët kartonësh, një stil që shpesh i jep ritëm takimeve në të cilat gjykon.
Kombëtarja shqiptare do të ketë përballë një tjetër gjyqtar rumun, ashtu si në fitoren historike 0-1 ndaj Serbisë, kur takimin e gjykoi István Kovács.
KOHA JONË SONDAZH

