Njihuni me 7 “të paprekshmit” të Barcelona, dhe dy liderët e harruar nga Bartomeu

Humbja 8-2 kundër Bayern Munich përveç se hyri në historinë e futbollit, la plagë të thella te skuadra e Barcelonës. Pas eliminimit nga Champions League nga bavarezët, tani është një periudhë reflektimi në shtëpinë Blaugrana, që do të çojë në një revolucion të vërtet, të nisur që nga drejtuesit. Eric Abidal nuk është më përgjegjësi i merkatos, ndërkohë që as Quique Setien nuk është më trajneri i ekipit.

Ronald Koeman nga dita e sotme është strategu i ri i klubit, që do t’i nënshtrohet një rikonstruktimi të madh. Të shumta do të jenë largimet e futbollistëve, por edhe afrimet. Në një deklaratë të dhënë së fundmi për mediat ibrike dhe për tifozët presidenti Bartomeu qartësoi listën e 7 futbollistëve që janë të paprekshëm. Ata nuk mund të largohen për asnjë arsye.

Messi, Ter Stegen, Lenglet, Semedo, De Jong, Griezmann dhe Démbélé. Janë emrat e cituar nga numri një i klubit blaugrana, edhe pse në fakt një pjesë e mirë e tyre janë përmendur shpesh herë në mediat për një largim të mundshëm. Interesant është fakti që Bartomeu harroi dy emra të tjerë me shumë peshë në skuadër si Pique dhe Suarez. Si mbrojtësi iberik ashtu edhe sulmuesi uruguaian, kanë qenë lider në fushën e lojës, teksa duket se aventura e tyre në “Camp Nou” tashmë është drejt fundit. Në ditët në vijim do të mësohet edhe më shumë, por sinjalet nuk janë aspak pozitive.

Për qendërmbrojtës ëndrra e madhe është De Ligt, vështirë i arritshëm pas kalimit te Juventusi, ndërkohë që një opsion do të ishte edhe Skriniar nga Interi. Në sulm ndërkohë Lautaro Martinez prej kohësh është në listën e përforcimeve, ku mund të zërë vendin e Suarez. /Rozalb Lika-Koha Jone/

 

 

SHKARKO APP