Njihuni me 8 yjet që mund të braktisin Barcelonën këtë verë

Në kohën e emergjencës nga pandemia Covid-19, klubet e mëdha po lëvizin në merkato për të bërë përforcimet e nevojshme për sezonin e ardhshëm. Sipas gazetës “Sport”, plotë 8 futbollistë rrezikojnë që të largohen nga skuadra katalanase.

Emri i parë është Ivan Rakitic, i cili me shumë mundësi do të rikthehet te Sevilla pas 6 sezoneve në “Camp Nou”, ndërkohë emri tjetër është Arturo Vidal, i cili mund të përfshihet në negociata për afrimin e Lautaro Martinez.

I sigurt duket edhe largimi i portierit Neto, i cili zëvendësoi Cillesen, ndërkohë që as sulmuesi Martin Braithwaite nuk ka bindur Setien për të vazhduar aventurën në ekipin katalanas. Nuk duket se do të ketë shumë shpresa për Junior Firpo, i aktivizuar vetëm në 13 ndeshje gjatë këtij sezoni.

Problemi i madh duket se do të jetë sistemimi i Philippe Coutinho, i cili do të rikthehet nga huazimi nga Bayerni, pasi skuadra bavareze nuk do të blejë kartonin e plotë të tij. Samuel Umtiti ndërkohë mund të përfundojë në formë huazimi, teksa nuk ka bindur deri më tani me paraqitjet e tij në mbrojtje.

Në fund, është Antonie Griezmann, i cili erdhi vetëm në verën e fundit nga Atletico Madrid, por nuk ka bindur aspak. 8 gola dhe 4 asist në 26 ndeshje, janë të pamjaftueshme që të qëndrojë në majën e sulmit të Barcelonës. Neymar dhe Lautaro Martinez shihen si dy alternativat më të mira. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP