Nuk ka vend më te Lazio, Hysaj bën gati “valixhet” për t’u larguar
Mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj duket gjithnjë e më pranë largimit nga Lazio gjatë kësaj merkatoje dimërore, duke i dhënë fund një eksperience të gjatë me fanellën bardhekaltër. Sipas ekspertit të merkatos, Nicolò Schira, drejtuesit e klubit kanë vendosur të mos ia rinovojnë kontratën lojtarit, e cila skadon në qershor.
Ky vendim e shtyn Hysajn të kërkojë një sistemim të menjëhershëm, për të shmangur mbylljen e sezonit jashtë planeve të ekipit. Lazio synon të reduktojë organikën dhe e konsideron mbrojtësin shqiptar si një nga lojtarët që duhet të largohen sa më shpejt.
Disa skuadra të Serie A, si edhe klube jashtë Italisë, po monitorojnë situatën dhe janë gati të përfitojnë nga një transferim me kosto të ulët. Largimi i Hysajt do t’i lejonte Lazios të çlirojë hapësira të rëndësishme në buxhetin e pagave, për të financuar afrime të reja në mesfushë. Pavarësisht profesionalizmit të treguar ndër vite, aventura e Hysajt te Lazio duket se ka përfunduar. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

