Nuk kanë fund telashet për Strakoshën, Tare gjen zëvendësuesin e tij
Thomas Strakosha ka dalë plotësisht jashtë radarit të Lazios. Portieri shqiptar po kalon një sezon të mallkuar, pasi humbi disa ndeshja për shkak të infektimit me koronavirus në fillim të sezonit. Më pas erdhi dhe rënia e formës apo rritja e Reinës, duke kaluar te dëmtimi në gju.
Strakosha ka një lëndim të gjurit, që i fryhet dhe nuk e lejon të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit. Ndërhyrja kirurgjikale nuk është përjashtuar si opsion, teksa fillimisht do të provohet me disa terapi. Mediat italiane së fundmi raportojnë se Lazio po mendon edhe për skenarin për ta shitur shqiptarin në fund të sezonit. Marrëdhëniet me të nuk janë në ditët më të mira.
Me skadimin e kontratës për një vit ekziston mundësia e largimit me kosto zero, një situatë që bardhekaltrit kërkojnë ta shmangin me çdo kusht, por në këtë moment negociatat janë “ngrirë” për rinovimin. Igli Tare ka nisur punën për të shmangur një situatë të tillë, pasi nuk kërkon të humbasë një futbollist me shumë prespektivë si portieri i Kombëtares sonë. “Cittaceleste” bën të ditur se drejtori shqiptar ka gjetur edhe zëvendësuesin e mundshëm të Strakoshës.
Bëhet fjalë për Lorenzo Montipo, portieri i Beneventos, i cili zhvilloi një ndeshje shumë të mirë ndaj tyre. Ai mund jetë zëvendëses i Reina-s, i cili duket se do të vijojë që të jetë edhe për ca kohë titullar, pavarësisht moshës së tij. Tuttomercatoweb”, shton se lacialët po mendojnë seriozisht edhe për Anatoliy Trubin. Portieri i Shakhtar Donetsk pëlqehet dhe nga trajneri Inzaghi, por klubet ende nuk kanë nisur ndonjë negociatë mes tyre. Ky është projekti i Tares, i cili është në zhvillim e sipër. Fillimisht i duhet të zgjidhë problemet me Strakoshën, pasi koha nuk premton shumë. /R.Lika-Koha Jone/