Nuk mjafton dopieta e Manajt, “Shpresat” përmbysen nga Sllovakia (VIDEO)
“Shpresat” shfaqin si gjithmonë simptomat e së shkuarës. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi janë mundur me përmbysje në minutat e fundit nga Sllovakia. Pjesa e parë foli për kuqezinjtë tanë, që gjetën rrugën e rrjetës në minutën e fundit të pjesës së parë me Rei Manajn. Sulmuesi shqiptar goditi mjaft mirë në zonë pas një pasimi fantastik te Cekës.
Fillimi i pjesës së dytë ishte i vrullshëm. Sllovakia barazon menjëherë rezultatin, teksa Spalek realizon një super gol, duke përfituar nga përgjumja e kuqezinjve. Gëzimi për miqtë ka zgjatur vetëm 4 minuta. Seferi shpërthen bukur në krahun e djathtë, duke i dhuruar Manajt mundësinë për ta shtyrë për herë të dytë topin në rrjetë.
Kuqezinjtë u shfaqën të lodhur, teksa pësuan dy gola në minutat e fundit. Një tjetër përgjumje në prapavijë në krahun e Shqipërisë, ka bërë që Dimun të realizojë golin e barazimit. 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Mraz shënoi golin fitores për Sllovakinë. Shqipëria mbetet në vendin e parafundit me 6 pikë në Grupin 2, ndërkohë që Sllovakia ngjitet në vendin e tretë me 9 pikë. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

