Nuk po aktivizohet, van de Beek mund të largohet në verë nga United

Donny Van de Beek është një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e United me 40 milionë euro. Gjithsesi aventura e 23-vjeçarit në kampionatin anglez ka qenë e dështuar deri tani, pasi Van de Beek nuk po ia del të përshtatet as me futbollin anglez dhe as me stilin e jetesës në Britani, siç mësohet t’u ketë thënë miqve të tij.

Pikërisht për këtë arsye, fantazisti 23-vjeçar është aktivizuar me pikatore nga trajneri norvegjez i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer dhe në Angli janë gjithmonë e më shumë të sigurt për largimin e futbollistit gjatë merkatos së verës. Opsioni më i mundshëm është ai i rikthimit te Ajaxi në huazim për një sezon, me qëllim që të aktivizohet dhe të rigjejë besimin, për t’u bashkuar sërish me “Djajtë e kuq”.

Megjithatë mediat angleze raportojnë se për futbollistin ka shfaqur interes edhe Barcelona, pasi trajneri Ronald Koeman joshet nga ideja për t’i bashkuar sërish dyshen De Jong-Van de Beek, të cilët çuan Ajaxin deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dy sezone më parë. Në garë është edhe Milani që është gati të invesojë deri në 30 milionë euro për shërbimet e tij.

SHKARKO APP