Nuk zbatoi karantinën, Ndoj kapet “mat” nga karabinierët
Telashe në horizont për Emanuele Ndoj. Mesfushori i Brescias dhe i Kombëtares sonë, është gjobitur nga karabinierët për shkak të shkeljes së karantinës. Në fakt, sipas asaj që u raportua nga “Il Giornale di Brescia” futbollisti, i cili duhet të kishte qëndruar i izoluar në shtëpi pasi emri i tij ishte përfshirë në listën pozitive të Covid, është parë përreth në qytetin Lombard.
Ndoj kishte përfunduar në listën e Agjencisë së Mbrojtjes së Shëndetit si një “person pozitiv me Coronavirus”. Një situatë që kërkonte izolimin e tij në shtëpi, në përputhje me kufizimet e vendosura nga qeveria. Futbollisti ndërkohë vendosi të dilte me tri kolegë të tij, por për fatin e tij të keq është kapur nga karabinierët në një lokal në zonën e Brescias.
Gjoba ishte e pashmangshme, teksa kujtojmë se Ndoj kaloi pushimet në Sardegna së bashku me Tonalin. Brescia vendosi që të mos bëjë asnjë reagim zyrtar në lidhje me këtë ngjarje. /R.Lika-Koha Jone/