Nurishmi: Absurde që nuk kemi marrë ende përgjigje nga qeveria!

Lysjen Nurishmi, Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, ka folur për rinisjen e kampionatit, duke mos e fshehur zhgënjimin që ende qeveria nuk ka dhënë miratimin zyrtar për rifillimin e garave.

“Duhet të ruajmë distancën, për të mos qëndruar pranë njëri-tjetrit. Është rënë dakord që kampionati të rifillojë pa bërjen e tamponëve. Është miratuar protokolli, që nuk e përfshin testin. Do të bëhet vetëm matja e temperaturës. Nuk do të ketë më konferenca shtypi dhe gazetarë që presin në zonën miks.

Qeveria? I është dërguar një shkresë ministrisë, jemi në pritje për një aprovim. Është përcaktuar dhe kalendari me datat oraret dhe ndeshjeve. Më datë 3 duhet të rinisë sezoni. Ky është plani, presim dritën jeshile. Ky kalendar përkon dhe me afatin e UEFA-s për kupat e Europës. Mungesa e përgjigjes? Ne të vetëdijshëm që jeta po rifillon normalisht. Në datën 1 qershor do të hapen çerdhet edhe kopshtet. Siguria është më e madhe në fushën e lojës se në bare dhe restorante. Është absurde që nuk kemi marrë akoma një përgjigje nga qeveria. Jemi vonë, duhet ta kishim përgjigjen. Duhet të diskutonim për çështje më të rëndësishme.

Shtyrja më 7 qershor? E kam dëgjuar në media, por nuk kemi folur dhe pasur asnjë qëndrim për datën 7. Ne jemi për datën 3. Është bërë një plan dhe është përcaktuar kalendari i detajuar. Duke filluar nga Superiorja te Kupa e Shqipërisë. Do të ketë probleme nëse nuk fillon në datën 7. Data 2 gusht është afati i fundit për të dërguar emrat e ekipeve në UEFA. Në rast se do të kemi hapje të kufijve, është absurde që futbolli të mos fillojë. Në rast se një lojtar rezulton pozitiv, ai do të largohet dhe lojtarët që kanë qenë në kontakt do testohen, për të parë nëse janë të kontaminuar.

Ndeshja nuk mund të organizohet sot për nesër. Do të kontaktojmë personalisht me grupin e punës, për t’iu kërkuar një konfirmim për datën 3. Është në të mirën e të gjithëve. Janë disa hallka që duhet të lidhen. Shpresoj që brenda kësaj jave të kemi një përgjigje përfundimtare”, deklaroi zyrtari i FSHF-së për “Fan Zone”.

 

SHKARKO APP