Olsi Rama: Jemi skuadra më e rregullt për pagat e futbollistëve, po ta dija …
Olsi Rama hidhet në kundërsulm në lidhje me çështjen e pagave të prapambetura tek Partizani ndërsa akuzon edhe klubet rivale për sa i përket tifozëve të cilët i kanë të shumtë në numër në ndeshjet që të kuqtë luajnë jashtë. Drejtori i Partizanit sqaroi edhe arsyen e fjalimit me futbollistët pas ndeshjes ndaj Skënderbeut.
“Nëse do e dija që sot kishte dalë lajmi i rrogave, nuk do vija unë këtu. Do sillja lojtarin më të vjetër të skuadrës. Albanin, ose nga ata veteranët e tjerë që kanë kohë në ekip. Të vinin ata vetë dhe të tregonim korrektësinë e Partizanit për pagat. Nuk ka nevojë të sqarohen gjërat për rrogat. Unë e ndoqa nga afër ekipin dje. Jemi klubi që përveç se paguajmë më shumë se të gjithë, jemi më të rregullt. Unë e kam ngritur zërin për gjithçka, për “Fair Paly” dhe kështu me radhë.
Me aq sa paguajmë taksa mund të merrnim 3-4 lojtarë të nivelit të lartë dhe të vrisnim kampionatin. Vazhdojmë përpara me korrektësinë maksimale, si në raport me pagesat dhe me lojtarët. Ta kisha ditur që bëhej për këtë lajm, do sillja këtu disa lojtarë që ta tregonin. Unë kam besim te presidenti Demi. Asnjë lojtar apo ish-trajner që ka qenë te Partizani, nuk është pa u paguar. Mund t’iu kujtoj rastin e fundit me Melon, i cili u pagua deri në momentin e fundit që u largua. Ne vazhdojmë punën përpara.
Kam mbajtur një fjalim para ndeshjes me Skënderbeun dhe ju keni qenë i pranishëm. E keni parë që foli trajneri përpara. Jam pothuajse përditë në stërvitje. Nuk ka nevojë të jem çdo ditë. Nuk e ndjej të nevojshme të jem atje, pasi gjërat shkojnë shumë mirë. Iki për kënaqësinë time, të flas me trajnerin e të pi ndonjë kafe. U kam thënë edhe lojtarëve se jam shoku juaj, miku juaj, edhe avokati juaj në të gjitha gjërat që ndodhin. Jam edhe drejtori. Nuk kishte asgjë përtej normales që të shkojë ta flisja. Kemi raporte shoqërore”, u shpreh Olsi Rama.