Olsi Rama: Nuk kisha preferenca për shortin, Kupa është objektiv për Partizanin
Pas hedhjes së shortit për fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Partizani mësoi se do të përballet me Vllazninë, ka ardhur reagimi i parë nga “të kuqtë” e kryeqytetit. Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama tha për mediat se nuk kishin pasur preferencë për kundërshtarin e kësaj sfide, ndërsa shtoi se trofeu është qëllimi kryesor i “Demave”.
“Isha i qetë në short, nuk kisha preferenca. Të 3 ekipet ishin të forta, është bukur të luash me Vllazninë pasi bëhet atmosferë e bukur. Kupa është objektivi ynë, është një trofe që jemi në garë. Do të luajmë me seriozitet pasi duam të shkojmë në Kupat e Europës. Me golin në fushë kundërshtare që nuk është më, nuk kishte ndonjë preferencë.
Grupi ynë është shumë i mirë si brenda fushe dhe jashtë. Po rritemi dhe po shprehemi më mirë në fushë. Edhe në dy fazat e para luajtëm mirë, por kishim disa dobësi. Me përforcimet e bëra jemi më mirë. Njeriu e bën vet fatin e tij dhe varet sa përgatitesh për të bërë mirë”, deklaroi Olsi Rama pas shortit.
KOHA JONË SONDAZH

