Oltijon Kërnaja shpallet trajneri më i mirë për muajin shkurt!
Oltijon Kërnaja është shpallur trajneri më i mirë i muajit shkurt në kampionatin “Abissnet Superiore”. Drejtoria Teknike e FSHF-së ka përzgjedhur teknikun e Partizanit pas rezultateve shumë të mira të skuadrës së tij gjatë këtij muaji, ku të kuqtë regjistruan katër fitore në katër ndeshje. Trajneri Oltijon Kërnaja e mori çmimin në ambientet e FSHF TV, ku iu dorëzua nga Sulejman Starova.
Në një prononcim për fshf.org, tekniku i Partizanit u shpreh i lumtur për këtë vlerësim si trajneri më i mirë i muajit shkurt, ndërsa theksoi se ky çmim është rezultat i punës së përbashkët të skuadrës. Kernaja ia dedikoi këtë vlerësim familjes, klubit dhe tifozëve të Partizanit.
Sa i lumtur je për fitimin e çmimit trajneri i muajit shkurt? – Jam sigurisht shumë i lumtur. 4 ndeshje – 4 fitore. Më shumë i lumtur për djemtë, po sakrifikojnë, po vrapojnë shumë. Bashkë me vrapimet dhe sakrificat e tyre, tashmë kanë ardhur edhe rezultatet që shpresojmë të vazhdojmë kështu.
Kujt ia dedikon këtë çmim? – Çmimin si trajneri i muajit shkurt ia dedikoj fillimisht familjes time, dy fëmijëve dhe gruas që u mungoj shumë gjatë orareve të gjata të punës larg shtëpisë, duke qëndruar pranë ekipit. Ata e kanë ndjerë më shumë mungesën time. E dyta, familjes së madhe të kuqe, tifozëve të Partizanit për të cilët do të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë sepse e meritojnë.
Si e shihni kampionatin “Abissnet Superiore” dhe kush është objektivi i Partizanit? – Objektivat e Partizanit nuk ka nevojë t’i shpalos unë sepse dihen. Vetë emri i ekipit gjithmonë do të luajë për renditjen sa më lart në tabelë, objektiva për trofe. Sa për kampionatin, është një kampionat shumë i vështirë. Shumë i luftuar, i fortë. Lufta është shumë e fortë si për të rënë nga kategoria, dhe për të arritur Final Four. Pikët janë aty, një ndeshje e fituar të ngre shumë lart, një hap mbrapa pastaj ta vështirëson punën. Është një kampionat i luftuar dhe kështu do të jetë deri në javën e fundit besoj.

KOHA JONË SONDAZH

