Osimhen i shkel syrin Juventusit me një postim në rrjetet sociale
E ardhmja e Victor Osimhen rrezikon të jetë një nga telenovelat më të gjata të kësaj vere. Sulmuesi nigerian, pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme ndaj ofertës së Al Hilal, nuk ka arritur të gjejë ende një alternativë të besueshme në Evropë, që të përmbushë edhe kushtet financiare të Napolit.
Klubi i Aurelio De Laurentiis nuk ka ndërmend të lëshojë më poshtë se 75 milionë euro, sa është parashikuar nga klauzola e largimit në kontratën e lojtarit. Nëse nuk gjendet një zgjidhje deri më 15 korrik, Osimhen do të jetë i detyruar të bashkohet me Napolin në grumbullim në Dimaro, ndonëse është e qartë se Antonio Conte nuk e sheh pjesë të projektit të tij.
Ardhja e Lorenzo Lucca si zëvendësues i Romelu Lukakut është një tjetër sinjal që nuk ka më hapësirë për nigerianin në skemën e trajnerit të ri. Sa i përket ofertave, përveç Al Hilal që ka qenë e gatshme të paguajë klauzolën, opsionet evropiane mungojnë.
Në horizont nuk ka ende asgjë konkrete, por një postim në rrjetet sociale i Osimhen ka ndezur imagjinatën: një foto me reperin nigerian Odumodublvck veshur me fanellën e Juventusit. Klubi bardhezi ka shfaqur më parë interes për Osimhen, dhe largimi i mundshëm i Dusan Vlahovic, si dhe rinovimi i Igor Tudor, mund të rihapin këtë pistë. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

