Pa ide dhe kualitet, ja 5 faktorët e disfatës së rëndë ndaj Kosovës
Humbja e rëndë ndaj Kosovës, ka sjellë reagime të shumta në mjedisin sportiv në Shqipëri, teksa të shumtë kanë qenë ata që i kanë drejtuar “gishtin” trajnerit Panuçi si përgjegjësin kryesor. Duke marrë në konsideratë të dhënat e sfidave të fundit, kemi evidentuar edhe disa nga faktorët e rezultatve të tilla te kuqezinjtë.
Revolucioni i tepruar në listën e lojtarëve
Kristian Panuçi zgjodhi që të bënte një revolucion të vërtetë që nga periudha që ka marrë drejtimin e Shqipërisë. Aktualisht, në radhët e kombëtares shqiptare të futbollit janë të grumbulluar vetëm 10 nga 23 futbollistët që shkruan historinë dhe ata që janë lënë jashtë nuk janë të gjithë për arsye dëmtimesh siç mund të mendohet. Një pjesë e mirë e tyre janë për zgjedhje teknike dhe janë harruar nga ngjyrat kuqezi si Gashi e Kaçe, ndërsa ka emra si Cana e Shehi që e kanë mbyllur me kombëtaren apo edhe me futbollin. Strategu italian ka menduar për t’u përgatitur për kualifikueset e Europianit 2020, por nuk duhej që të bëheshin zgjedhje kaq drastike në një kohë të shkurtër. Kapiteni Ansi Agolli nuk merret në konsideratë, kjo jo sepse nuk ka formë, pasi është një nga më të mirët për të mos thënë më i miri në aktivitet. Mosha e penalizon të jetë pjesë e projektit “Panuçi”. Italiani grumbulloi për këto dy miqësore Hysen Memollën, Egzon Binakun dhe Ermir Lenjanin, tre futbollistë që mund të luajnë në të majtë të mbrojtjes, por që u dëmtuan para sfidës miqësore. Trajneri i Kombëtares sonë nuk veproi si me Strakoshën, duke mos grumbulluar ndonjë lojtarë tjetër si Trashi apo Mici që kanë shkëlqyer këtë sezon në Superiore.

Mungesa e dëshirës dhe pa grintë
Futbollistët e Kombëtares sonë u duk se ishin futur në fushën e lojës “pa dëshirë”, pasi në asnjë moment nuk luftuan për të fituar duelin ndaj kundërshtarëve të tyre. Shumë të ftohtë, të ngathët dhe pa asnjë ide për të vendosur në vështirësi futbollistët shumë teknik që ka ekipi i Kosovës. Trajneri Kristian Panuçi e pranoi dhe vetë pas ndeshjes se kishte gabuar në mënyrën se si e kishte përgatitur ndeshjen. “Mendova se me Kosovën nuk ishte nevoja ta karikoja shumë ndeshjen. Marr përgjegjësinë. Ishim shumë të shëmtuar për të menduar se kjo është Shqipëria ime e vërtetë. Jam treguar i butë, por nga sot do të vendos dorë të hekurt”, u shpreh strategu italian, duke konfirmuar se nuk e kishin marrë shumë seriozisht ndeshjen ndaj Kosovës, krejt ndryshe nga trajneri kundërshtar që ka bërë një punë shumë serioze.
“Mbrojtja më e mirë është sulmi”, por jo te Shqipëria
Trajneri Panuçi është përpjekur që të sjellë te Shqipëria një formacion shumë më tepër sulmues se paraardhësi i tij, De Biazi, por në fakt, por gabon rëndë duke aktivizuar futbollistët jo në rolet e tyre reale. Guri dhe Cikalleshi nga minuta e parë nuk ishte aspak një gjetje, pasi të dy futbollistët kanë të njëjtat karakteristika, ndërkohë që ajo që ra në ishte se kjo vendosje bëri që edhe Roshi të dilte jashtë lojës së tij, pasi shpesh herë gjendej në të njëjtin pozicion me Gurin. Në Kombëtare të mëdha mund të luash në sulm gjithë ndeshjes për shkak të kualitetit, por Shqipëria nuk ka kualitetet për të pasur një zotërim të mirë loje, dhe ky është një problem i madh. Kosova vërtet luajti me tre sulmues, por loja e tyre ishte shumë e rrjedhshme, ndërkohë që aftësit e tyre teknike ishin për t’u pasur zili edhe nga Kombëtare me emër.

Mbrojtja “fut ujë”, pësojmë gol në çdo ndeshje
Themeli i një skuadre futbolli padyshim është mbrojtja, që janë si “kolonat e një shtëpie”, pa të cilat nuk qëndron në këmbë. Sfidat nën drejtimin e Panuçit, kanë qenë të shoqëruara nga shumë gola të pësuar. kuqezinjtë kanë regjistruar ndeshjen e 6 radhazi në të cilën pësojnë të paktën një gol (Maqedoninë, Spanjën, Italinë, Turqinë, Norvegjinë, dhe Kosovën), duke bërë që përveç debutimit me Lihtenshtejnin (fitore 2-0), Shqipëria të ketë pësuar gol në çdo sfidë tjetër nën drejtimin e trajnerit italian. Një bilanc që flet për një total prej 11 golash të pësuar në vetëm 6 ndeshje. Një shifër e frikshme kur mendon se në eliminatoret e Euro 2016, Shqipëria mbylli grupin me vetëm 5 gola të pësuar. Një seri e tillë ndeshjesh mund ta gjejmë vetëm nën drejtimin e të ndjerit Josip Kuzhe, në vitin 2011, kur kuqezinjtë arritën në 8 sfida radhazi duke pësuar gol. Largimi i Canës duket se ka lënë një “gropë” të madhe.
Mesfusha pa “muskuj” dhe pa kualitet
Në futboll kualiteti mund të vendos shumë në një ndeshje futbolli, edhe nëse ke shumë dëshirë. Edhe kjo e fundit mungonte ndeshjen e së martës, duke sjellë edhe disfatën e rëndë. Qaka dhe Ndoj e nisën ndeshjen ndaj minuta e parë, duke qenë shumë të ngadaltë në organizimin e lojës, ndërkohë që Halimi dhe Shala ishin shumë më të fuqishëm në dyluftime. Problemet fizike të Qakës bënë që trajneri italian ta largonte pas 30 minutash, duke hedhur në fushë Lilajn, i cili gjithashtu e kishte shumë të vështirë, për të ndalur futbollistët me shumë kualitet të Kosovës. Shqipëria vuan mungesën e një futbollisti organizator si Skela dhe Lala, apo edhe të Kukelit e Abrashit. /Rozalb Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

