Pak orë para ndeshjes me Teutën, eksploziv poshtë mjetit të administratorit të Vllaznisë, çfarë thotë policia
Policia e Shkodër ka reaguar në lidhje me ngjarjen ku është përfshirë administratori i skuadrës së futbollit shkodran Vllaznisë, Suad Lici, ku poshtë mjetit të tij është gjetur një pako e dyshimtë.
Sipas policisë, ka dyshime se në pako ka lëndë plasëse.
“Më datë 16.02.2020, rreth orës 08:56, shtetasi S. L. 46 vjeç, banues në lagjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër ka njoftuar Sallën e Drejtimit në DVP Shkodër, se poshtë mjetit të tij tip Benz, ka konstatuar një pako të mbështjellë me letër natriban ku dyshohet se mund të ketë lëndë plasëse. Në vend ndodhen shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ku vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Administratori i Vllaznisë Suad Lici disa herë ka patur kërcënime për punën e tij si administrator i Vllaznisë por asnjëherë nuk ka bërë denoncime.
Edhe me parë trajnerë apo drejtues të Vllaznisë janë kërcënuar me armë në fushat stervitore si rasti i ish-trajnerit Agim Canaj, Armando Cungu dhe të tjerë. Ngjarja në fjalë ndodh pak orë para ndeshjes që Vllaznia ka sot me Teutën e Durrësit. Lici nuk ndodhet në vendin e ngjarjes, pasi është nisur drejt qytetit bregdetar, pasi skuadra e tij ka ndeshjen e radhës.