Panucci e kthen në Kombëtare por ja çfarë i ndodh Xhakës
“Derisa të jetë trajner Xhani De Biasi, unë nuk kthehem më në Kombëtaren shqiptare të futbollit”. Kështu ka deklaruar Taulant Xhaka, mesfushori i cili pati një përplasje me ish-teknikun e kuqezinjve pas ndeshjes kundër Italisë kur braktisi grumbullimin e Kombëtares.
De Biasi nga ana tjetër nuk i bëri ftesë futbollistit për ndeshjen me Izraelin, duke theksuar se sa kohë të ishte ai, mesfushori mund të vazhdonte të qëndronte larg Kombëtares pasi nuk do të kthehej aty pa kërkuar falje. Por De Biasi nuk është më trajner i kuqezinjve dhe pasardhësi i tij, Christian Panucci, ka udhëtuar sot drejt Bazelit për të rilidhur marrëdhëniet e mesfushorit me Kombëtaren.
“SuperSport” raporton se përgjigja e Xhakës ka qenë pozitive dhe ai është gati të kthehet kuqezi, pa pasur nevojë që t’i kërkojë falje askujt. Por kjo, është vetëm njëra anë e medaljes, pasi vizita e Panuccit në ndeshjen e sotme mes Bazelit dhe Lucernës i ka shërbyer trajnerit të Kombëtares për të mësuar se Xhaka mund të mos luajë më rregullisht në klubin e tij.
Trajneri i Bazelit, Rafael Viki, po përdor një skemë të re 3-5-2 për kampionët e Zvicrës dhe një nga emrat e sakrifikuar është ai i Xhakës, që duhet të ulet në stol. Për momentin, ai nuk është zgjedhje e parë në mesfushë dhe në Zvicër, mediat vendase e shohin atë si një “alternativë” ndaj titullarëve, edhe pse gjatë viteve të fundit ka qenë ndër lojtarët më të qëndrueshëm për Bazelin.
Ndryshe nga Kombëtarja, ku Xhaka ka ngritur zërin duke u përplasur me trajnerin pasi kërkon të luajë titullar, futbollisti nuk pritet të bëjë të njëjtën gjë në klubin e tij, duke pritur momentin për t’u kthyer në fushë dhe për të treguar se sa vlen.
KOHA JONË SONDAZH

