“Paqe” në Tiranë e Vlorë/ Partizani ndal Vllazninë, Flamurtari barazon ndaj Tiranës
Dy ndeshjet e fundit të javës së 12-të në Abissnet Superiore u mbyllën me barazime, duke mos sjellë ndryshime të rëndësishme në renditje për ekipet e përfshira.
Në Vlorë, Flamurtari dhe Tirana ndanë nga një pikë pas një sfide të luftuar, e cila përfundoi 1–1. Vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 37-të falë një aksi individual të Erald Maksutit, i cili shmangu mbrojtjen dhe mposhti Tafas. Bardheblutë protestuan për faull në nisjen e aksionit, por ndërhyrja e VAR-it e vërtetoi golin si të rregullt.
Tirana reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi shifrat në minutën e 75-të me Eliton Junior, që gjeti rrugën e rrjetës me një goditje të fortë nga distanca, e devijuar lehtë nga një mbrojtës vlonjat. Me këtë rezultat, Tirana mbetet në vendin e 10-të, ndërsa Flamurtari një pozicion më sipër, në të 9-in.
Ndërkohë, në “Arenën e Demave”, Partizani dhe Vllaznia prodhuan një tjetër barazim 1–1. Të kuqtë morën epërsinë në sekondat e fundit të pjesës së parë me Rrok Tomën, i cili shfrytëzoi një top të gjatë të dërguar nga Andi Janjeva. Shkodranët u kundërpërgjigjën në minutën e 59-të me një perlë të Esat Malës, i cili nuk festoi ndaj ish-skuadrës së tij.
Me këtë barazim, të dyja skuadrat ruajnë pozitat, duke lënë gjithçka të hapur për javët e ardhshme.


KOHA JONË SONDAZH

