Partizani dhe Tirana “të plagosur” para derbit, probleme të shumta në mesfushë

Partizani dhe Tirana janë duke zhvilluar stërvitjet e fundit para derbit të kësaj të premte në mbrëmje që do të zhvillohet për herë të parë në “Air Albania Stadium”. Të dyja skuadrat krahas formës aspak të mirë, do të ketë mungesa të shumta në këtë ndeshje ,

Të kuqtë janë disi më të plotë, por mungesat më të mëdha janë në repartin e mesfushës. Broja mori kartonin e katërt të verdhë në ndeshjen e humbur kundër Bylis, ndërsa Telushi u ndëshkua me karton të kuq, duke bërë që në mesfushë të mungojnë 2 nga 3 titullarët. Mala është i vetmi i sigurt, ndërkohë që Romero e ka të sigurt vendin në formacion. Lerda duhet të gjejë edhe një tjetër futbollist që të kompletojë këtë repart.

Tirana duhet të bëjë praktikisht pa pesë titullarë në derbi. Osmani e Dunga vazhdojnë të jenë të dëmtuar dhe pasojat e tyre i shfaqën simptomat që në humbjen e marrë kundër Kukësit. Sidomos qendërmbrojtësi është vështirësi të zëvendësohet, por Egbo, sikur të mos mjaftojë, duhet të gjejë zgjidhje edhe për linjën ofensive, ku Kale është i skualifikuar për shumë kartonësh të verdhë, ndërsa Hasani ka një problem muskulor dhe vështirë të rikuperohet.

Bardheblutë shpresojnë shumë të rikuperojnë Cobinnah: lojtari ka provuar sot, duke dalë në stërvitje me të tjerët, por mbi kondicionin e tij do të vendoset vetëm para ndeshjes, me Tiranën që nuk do të rrezikojë një tjetër dëmtim të tij.

SHKARKO APP