Partizani eliminohet mes polemikave në Moldavi, Asani nuk mjafton (VIDEO)
Partizani del me “kokën lart” nga Europa League. Të Kuqtë janë eliminuar pasi kanë barazuar 1-1 në ndeshjen e kthimit ndaj Sheriff Tiraspol në një ndeshje të cilën e luajtën mjaft mirë për një pjesë të mirë, por fati dhe një vendim i arbitrit influencuan në rezultatin përfundimtar.
Ndeshja do të niste më mirë për skuadrën moldave që me avantazhin 1-0 të ndeshjes së parë luante më me siguri në minutat e para. Partizani fiton metra me kalimin e minutave teksa Mala dhe Cordeiro krijon shanse të mira. Të kuqtë do të arrinin që të finalizonin punën mjaft të mirë të bërë me kundërsulm, teksa në minutën e 29-të, pas një kombinimi të bukur mes Solomon dhe Asanit, ky i fundit do të arrinte që të realizonte i vetëm përballë portierit. Vendasit kërkojnë menjëherë golin e barazimit me dy aksione të rrezikshme, por Hoxha i dal në të dyja rastet. Pavarësishtë ngulmimit të vendasve, fraksioni i parë i ndeshjes do të mbyllej me avantazhin e ekipit të Lerdës.
Fillimi i së dytës do të ishte fantastik për Partizanin që luan një lojë të rrjedhshme dhe krijon rrezikshmëri në portën kundërshtare. Në minutën e 53-të, Solomon bën një driblim spektakolar në krahun e majtë, pason për Malën në zonë, por ky i fundi ndalet nga mrekullia e portierit Mikulic. Të kuqtë janë shumë të freskët lejojnë shumë pak hapësira, por nga një goditje standarde në minutën e 63-të, do të vinte goli i barazimit të vendasve. N’diaye është në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për ta devijuar në rrjetë, teksa lojtarët e Partizanit protestuan për një pozicion jashtë loje, pasi edhe arbitri ishte në mëdyshje.
Partizani hidhet në sulm në kërkim të golit të avantazhit, por nuk ka aspak freskinë e fillimit të pjesës së dytë, teksa kundërshtarët shfaqen sërish rrezikshëm në portën e Hoxhës. Në minutat e fundit të kuqtë u spostuan të gjithë në sulm në kërkim të golit të barazimit, teksa portieri Hoxha humbi një mundësi të artë në minutën e dytë shtesë, me topin që kaloi ngjitur me shtyllën. Vendasit ndërkohë godët shtyllën disa sekonda më pas. Pas këtij eliminimi, tashmë nuk mbetet asnjë skuadër në kompeticionet europiane. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

