Partizani i pamëshirshëm, fitore tenistike ndaj Lushnjës (VIDEO)
Partizani rikthehet te fitorja pas dy humbjeve radhazi. Skuadra e Sulejman Starovës ka fituar thellë 6-0 ndaj Lushnjës në duelin e javës së 22-të. Të kuqtë mbyllën gjithçka që në pjesën e parë me Jurgen Bardhin, që u bë protagonist absolut në këtë ndeshje. Sulmuesi i talentuar shënoi fillimisht në minutën e 28-të, ndërkohë që pas 6 minutash do të dyfishonte shifrat. Në fundin e pjesës së parë Belica ka mposhtur Spahon me një goditje me kokë, falë një goditje këndi të ekzekutuar në minutën e fundit të pjesës së parë
Në pjesën e dytë Partizani do të realizonte dhe tre gola të tjerë. Progni tenton të jap spektakël, teksa provon një goditje të bukur për të kaluar Spahon. Portieri i Lushnjës e eviton këtë parabël, por Progni e ndjek mjaft mirë aksionin dhe më pas e çon topin në rrjetë. Partizani e kthen në seancë stërvitore ndaj Lushnjës. Në minutën e 64-t, Kardozo ka hyrë në zonën kundërshtare duke kaluar Spahon dhe shënon golin e pestë. Për t’i vënë vulën ndeshjes mendon Emran Ramadani, i cili shënon emrin në lsitën e shënuesve në këtë duel. Partizani ngjitet në vendin e 6-të me 31 pikë. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

