Partizani ndryshon kurs, derbin e kërkon të premten, irritohet Tirana
Tirana – Partizani, ndeshja më e fortë e kampionatit tonë, mbetet ende pa një datë dhe vend të caktuar për zhvillimin e saj. Ndeshja që ishte programuar për t’u luajtur këtë të premte, ora 19.00, ka futur në kaos tifozë e drejtues klubesh. Fillimisht u mësua se nuk mund të luhej sipas programit fillestar këtë të premte për shkak se ende nuk është gati terreni i stadiumit “Qemal Stafa” dhe më pas të dy klubet ranë dakord që derbi i javës së 24-të, të luhej në 12 mars duke marrë edhe bekimin e FSHF-së, por më pas Partizani bëri prapakthehu duke kërkuar që takimi të luhet në datën që ishte përcaktuar, pra të premten. Ky ndryshim kursi nga rivali historik ka irrituar klubin e Tiranës që insiston që takimi të luhet vetëm në kryeqytet. Për të kuptuar më mirë dinamikën e ngjarjes me peripecitë e jashtëzakonshme të një të mërkure të paprecedent me derbin që luhet në zyra, shërben edhe ndryshimi i ngjarjeve brenda ditës . Në shkresën adresuar shefit të Sektorit të Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, klubi i kuq ndryshon qëndrim duke i kërkuar Sektorit të Garave që t’i përmbahet kalendarit dhe ndeshja të luhet në datën 27 shkurt. Kjo kërkesë irriton Tiranën, ku në orën 20.00 të mbrëmjes së mërkurë klubi bardheblu del me një deklaratë të fortë ku dënon publikisht qëndrimin e Partizanit, duke akuzuar klubin e kuq për mosrespektim të kompromisit të arritur dhe sjellje prej fëmijësh. Tirana konfirmon se do t’i drejtohet FSHF-së, që takimi të luhet në 12 mars pasi një ndeshje derbi meriton të luhet vetëm në kryeqytet. Lysjen Nurishmi lidhur me kërkesën e Partizanit për respektimin e kalendarit fillestar dhe prishjen e akordit që u arrit më parë theksoi se derbi mund të shtyhet vetëm kur bien dakord të dy klubet dhe në këto kushte, Tiranës si skuadër pritëse dhe organizatore e ndeshjes i takon të gjejë një fushë për zhvillimin e saj. Rivalët e vjetër janë sërish në anë të kundërta. Tashmë Partizani kërkon të luhet të premten, rrjedhimisht jashtë kryeqytetit ku mungon infrastruktura sportive, kurse Tirana kërkon me çdo kusht që ndeshja të luhet në kryeqytet. Derbi po luhet tashmë në zyra. Pra, derbi i shumëpritur kryeqytetit mes Tiranes dhe Partizanit, për javën e 24-të Kategorisë Superiore, i parashikuar të luhej të premten në ora 19:00, u vendos paradite që të zhvillohet një ditë tjetër. Ky ndryshim është bërë i detyrueshëm për shkak të mos gatishmërisë së stadiumit “Qemal Stafa” për të pritur të premten këtë takim. Pas anulimit, Tirana si organizatore kërkoi që ndeshja derbi të luhet vetëm në kryeqytet për të respektuar rëndësinë e këtij takimi në aspektin sportiv dhe njerëzor. Fillimisht lajmi se derbi Tirana – Partizani do të luhej të premten në “Qemal Stafa”, që pati mbyllur dyer për gati dy muaj, rezultoi një zhgënjim i madh për tifozët e shumtë të kryeqytetit. Dy ditë para derbit, shoqëria Kuqezi që ka në administrim impiantin ndërkombëtar “Qemal Stafa” konfirmon të kundërtën, se derbi nuk mund të luhet në këtë stadium, edhe pse sapo është shtruar tapeti i ri. Sipas drejtorit të stadiumit, Eduard Prodani, fusha e blertë e instaluar vetëm para pak javësh nuk është gati për t'u përuruar këtë të premte. Ekspertët e firmës greke që bënë të mundur shtrimin e tapetit nuk kanë dhënë miratimin që “Qemal Stafa” të hapë dyert që këtë fundjave, madje sipas tyre është në dyshim edhe ndeshjes e javës së 25- të e Kategorisë Superiore, mes Partizanit dhe Flamurtarit, pasi bari nuk është lidhur në parametrat e duhur me tokën. Në kryeqytet nuk ka është as impianti tjetër funksional për të pritur derbin, pasi edhe “Selman Stërmasi” është shndërruar në kantier ndërtimi. Për koincidencë edhe “Elbasan Arena” nuk mund të hapë dyert për derbin, pasi po vijojnë punimet për shtrimin e pistës së tartanit. Sa i përket stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, këtë fundjavë është programuar zhvillimi i ndeshjes mes Teutës dhe Skënderbeut. Edhe në Fier, të shtunën Apolonia pret Kukësin, ndërsa në Kavajë Besa pret Burrelin në Kategorinë e Parë, sikurse edhe Kastrioti në Krujë pret Adën e Velipojës. Kësisoj, duke qenë se nuk ka një stadium të lirë afër kryeqytetit derbi shtyhet për më 12 mars.
KOHA JONË SONDAZH

