Partizani shkatërron me “poker” Kukësin, Teuta ndal Tiranën

Partizani dhuron spektakël në “Elbasan Arena”, duke marrë një fitore të thellë 4-1 kundër Kukësit në super ndeshjen e javës së 11-të. Skuadra e Ilir Dajës ishte dominuese veçanërisht në fraksionin e dytë të ndeshjes. Për të zhbllokuar ndeshjen, mendoi Asani me një të majtë perfekte, pas një pasimi dhe aksioni të bukur nga Bardhi.

Në fillimin e pjesës së dytë Bitri dyfishoi me kokë avantazhin, ndërkohë që edhe Kukësi bëri tentativa për të gjetur golin por ishin të pafatë. Në minutën e 70-të, Jurgen Bardhi gjeti golin e tretë, ndërkohë që në të 79-të, Esat Mala shënoi nga pika e bardhë. Në kohën shtesë, Kukësi gjeti golin e vetëm me Ibrahimin, me penallti. Me këtë fitore Partizani ngjitet në vendin e dytë me 19 pikë, 6 më pak se Vllaznia.

Teuta dhe Tirana nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 në “Niko Dovana”. Edhe pse u duk se sfida do të ishte më në favor të bardhebluve pas golit të shpejt , gjërat nuk shkuan ashtu. Halili shfrytëzoi një asist të Muçit në minutën e dytë. Reagimi i Teutës vjen në minutën e 70-të me Dejvid Kapllanin që do të befasonte Tiranën. Një pikë që u vlen shumë pak të dyja ekipeve, Teuta mbetet e treta, ndërkohë që Tirana e 6-ta, me diferencë prej dy pikësh mes tyre. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP