Partizani triumfon sërish në derbin e kryeqytetit, Mala ngjit të kuqtë në krye (VIDEO)
Partizani vijon të dominojë derbin e madh të kryeqytetit. Skuadra e Gegës ka triumfuar në super ndeshjen e javës së 6-të, minimalisht 1-0, duke ju falur një gol të shënuar nga Mala në pjesën e parë. Të dyja tifozeritë dhuruan spektakël në shkallët e stadiumit me koreografi shumë të bukura. Ndeshja nisi më mirë për bardheblutë që dhanë sinjalin e parë që në minutën e dytë me Blazhikovskin, por goditja e tij në hyrje të zonës përfundoi jashtë kuadratit. Në minutën e 12-të, Tirana ju afrua sërish golit me Hasanin, por goditja e mesfushorit me kokë përfundoi jashtë kuadratit. Kundërpërgjigjet menjëherë pas disa sekondash pas një goditje dënimi, teksa Asani vendos në provë portierin Lika, i cili largoi topin jashtë kuadratit.
Në minutën e 21-të, të kuqtë do të gjenin golin e avantazhit me anë të Malës. Harkim i shkëlqyer i Asanit nga e djathta, topi shkoi në zonë për Malën i cili gjuan me shpejtësi dhe mposht Likën. Tirana mundohet që të reagojë, teksa në minutën e 30-të, Blazhikovski uli mjaft mirë një top për Dajën, i cili godet, por portieri Hoxha ishte i gatshëm në katërkëndorin e portës. 4 minuta më vonë është sërish Tirana që rrezikon, por Hoxha del në kohë dhe grushton krosin e Dajës. Pavarësisht disa aksioneve të rrezikshme, pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Partizanit. Fraksioni i dytë filloi pa asnjë zëvendësim për të dyja skuadrat. Partizani dha një tjetër sinjal me Asanin që provoi me një goditje që u neutralizua nga portieri Lika pa shumë vështirësi. Në minutën e 51-të, Hoxhallari provoi me një gjuajtje të fortë por nuk ka shënjestrën dhe dërgoi sferën shumë lart mbi traversë.
Partizani është më e qartë në lojën e saj, teksa në minutën e 66-të, Ardit Hila shpërdoroi një mundësi shumë të mirë shënimi, pasi u gjend i lirë në krahun e djathtë të zonës. Goditja e tij për fatin e mirë të portierit Lika “përkëdheli” vetëm rrjetën e jashtme. Në minutën e 74-të, Tirana ka një mundësi të mirë shënimi me N’goo, por sulmuesi nuk përfiton nga rrëmuja në zonën e skuadrës së Partizanit.
Një minutë më pas skuadra e Gegës, kundërpërgjigjet menjëherë me Asanin, i cili është i pakapshëm në krahun e majtë, por tentativa e talentit të të kuqve përfundon jashtë kuadratit të Likës. Në minutat e fundit trajneri Ze Maria shton forcat sulmuese me Grecën, duke larguar Hasanin, por bardheblutë vuajnë për të gjetur hapësira. Në sekondat e fundit, Hebaj shpërdoroi një shans të art, por sulmuesi nuk arrin ta prekë topin me kokë. Pas kësaj fitoreje, Partizani ngjitet përkohësisht në krye të renditjes me 13 pikë, 2 më shumë se Skënderbeu dhe 3 më shumë se Kukësi. /Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

